Kapiteni i durrsakëve largohet pas një kapitulli 5 vjeçar. Mbrojtësi i majtë fitoi një Superkupë me Teutën, teksa luajti gjithsej 152 ndeshje nga viti 2021. Kotobelli ka qenë edhe më parë pjesë e bluve, nga viti 2014 në vitin 2017 ku luajti 100 ndeshje.
Ai ka veshur edhe fanellën e skuadrave të tjera si Partizani, Flamurtari apo Kukësi, por pjesën më të madhe të karrierës së tij ai e kaloi te Teuta. Me anë të një njoftimi zyrtar, klubi falenderon kapitenin për kontributin që ai ka dhënë për fanellën dhe i uron suksese në vazhdim.
“KF Teuta shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë për kapitenin Blerim Kotobelli për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm me fanellën blu. Me shpirt luftarak, pasion dhe udhëheqje brenda dhe jashtë fushës, Blerimi ka qenë një shembull i vërtetë për klubin dhe për tifozët tanë.
Faleminderit për çdo sakrificë, për çdo emocion dhe për çdo moment të paharrueshëm. Emri yt do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së KF Teutës. Të urojmë suksese në çdo hap të ri të karrierës dhe jetës! Faleminderit, kapiten”, thuhet në njoftimin e Teutës. Tashmë Kotobelli pritet të vijojë karrierën në një tjetër skuadër, duke synuar që të mbetet pjesë e Superiores.
