Shpërndaje në: Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë hyrjen në territor të saj, të askujt që vepron apo deklarohet kundër rendit kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Tek ka publikuar vendimin për shpalljen “non grata” të drejtorit të Telekomit të Serbisë, Sveçla ka thënë se nuk do të lejohen politika që e vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës. “Askush nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nga këtu, të veprojë apo të deklarohet kundër rendit tonë kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial.
Nuk do të tolerojmë promovimin apo mbështetjen e politikave që cenojnë autoritetin e institucioneve tona dhe vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Për këtë arsye, bazuar në deklaratat publike të shefit të Telekomit të Serbisë, Vladimir Lučić, kam marrë vendim që ai të shpallet person i padëshirueshëm (non grata) në Republikën e Kosovës, me ndalim të përhershëm të hyrjes, qëndrimit dhe kalimit transit në territorin e Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran.
Institucionet tona do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
