Shpërndaje në: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësimin për siç thonë shkeljen e rendit kushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas tyre, sot refuzoi të respektojë afatin e përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit e Kosovës. PDK-ja ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë duarkryq përballë këtyre vendimeve.
Sipas PDK-së, Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. “Ky afat përfundon sonte.
Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, thuhet në reagim.
PDK-ja ka thënë se e kundërshton këtë veprime, duke konsideruar se është precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor. “Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton fuqishëm këtë veprim, i cili nuk është vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.
Askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe aq më pak ata që kanë detyrimin e parë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë”. Sipas partisë më të madhe opozitare, Kurti e ka vendosur interesin partiak mbi atë shtetëror.
Edhe Arbëri 21 shk 2026 Partitë, duarkryq për presidentin “Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror.
Është për keqardhje që një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike, duke e zvarritur krijimin e tyre dhe duke prodhuar pasiguri kushtetuese”, vijon reagimi.
PDK-ja ka thënë se Kushtetuta është themel i rendit demokratik dhe juridik të shtetit, prandaj paralajmëruan se nuk do të qëndrojnë duarkryq. “Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është çështje interpretimi politik, por themeli i rendit demokratik dhe juridik të shtetit.
Prandaj, ashtu si në çdo rast kur është cenuar rendi kushtetues, edhe kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq. Mbrojtja e Kushtetutës dhe e shtetit të së drejtës është detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj Republikës së Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të ligjit.
Nuk ka demokraci funksionale aty ku vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën e Kosovës. Për fat të keq, sot Albin Kurti sërish zgjodhi pikërisht këtë rrugë”, thuhet në fund të reagimit.
