Premier League vazhdon të konfirmojë se nuk është vetëm kampionati më i fortë në botë, por edhe më fitimprurësi në aspektin financiar. Rikthimi ose promovimi në elitën e futbollit anglez mund t’i ndryshojë rrënjësisht financat e një klubi.
Sipas një analize të “Deloitte”, një skuadër që ngjitet nga Championship në Premier League pritet të sigurojë të paktën 205 milionë paundë të ardhura shtesë gjatë tre sezoneve të ardhshme. Nëse arrin të mbijetojë në elitë që në sezonin e parë, kjo shifër mund të rritet deri në rreth 365 milionë paundë. Këto shifra tregojnë qartë fuqinë ekonomike të futbollit anglez.
Vetëm promovimi në Premier League u garanton klubeve të ardhura që në shumë kampionate të tjera mund të arrihen vetëm duke fituar titullin kampion ose duke shkuar në fazat finale të garave evropiane. Kontrasti me Serie A është i madh.
Interi, kampioni i Italisë, ka përfituar rreth 16 milionë euro nga fitimi i titullit, një shumë shumë më e ulët se përfitimet që sjell promovimi në elitën angleze. Edhe pse sistemi i shpërndarjes së të ardhurave në Itali bazohet në disa faktorë, si të drejtat televizive, rezultatet sportive dhe pjesëmarrja në garat evropiane, Premier League mbetet një realitet krejt tjetër.
Aty edhe lufta për mbijetesë ka një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike, duke e bërë promovimin në elitën angleze një nga arritjet më fitimprurëse në futbollin botëror.
