Hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat sjellin masa më të ashpra për shkelësit dhe synojnë rritjen e sigurisë në rrugë. Një nga ndryshimet më të forta lidhet me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit.
Nëse një shofer është ndëshkuar më parë për këtë shkelje dhe kapet sërish duke drejtuar mjetin me më shumë se 0.5 gram alkool për litër ne gjak, leja e drejtimit do t’i hiqet përgjithmonë, pa asnjë mundësi për ta rimarrë atë nëpërmjet autoshkollës. Masa synon të largojë nga qarkullimi drejtuesit që konsiderohen më të rrezikshëm.
Ashpërsohen edhe ndëshkimet për drejtimin e automjetit pa patentë. Për personat në moshë madhore, përveç gjobës, parashikohet ndalimi për një vit i së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi. Ndërsa të miturit që kapen në timon nuk do të mund të marrin patentën sapo të mbushin 18 vjeç, por vetëm pas kalimit të dy viteve të tjera.
Rregulla më të forta vendosen edhe për shoferët e rinj gjatë dy viteve të para pas pajisjes me leje drejtimi. Gjatë kësaj periudhe nuk lejohet asnjë nivel alkooli në gjak. Ndërsa shpejtësia maksimale kufizohet në 90 kilometra në orë në autostradë dhe 80 kilometra në orë në rrugët jashtë qendrave të banuara.
Shkelja e këtyre rregullave dënohet me gjobë nga 5 deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse brenda një viti kryhen dy shkelje, kufizimet zgjaten edhe për një vit tjetër.
Rriten gjithashtu gjobat për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara dhe pranë shkollave, si edhe për garat me automjete apo manovrat agresive, duke arritur nga 20 deri në 60 mijë lekë. Masa më të forta parashikohen edhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Nëse një drejtues kapet dy herë brenda një viti duke përdorur celularin në timon, leja e drejtimit do t’i pezullohet për tre muaj. Ndalimi i përdorimit të celularit shtrihet jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për drejtuesit e biçikletave, motorëve deri në 50 kubikë dhe monopatinave.
