Arma më e frikshme naziste: Misioni për të kontrabanduar raketën V2

0%

Në vitin 1977, BBC-ja iu rikthye verës së vitit 1944, kur agjentët e Aleatëve nxorën fshehurazi pjesë të “armës mrekulli” të Hitlerit – duke i fshehur ato në banesën e një oficeri gjerman.

Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: ‘One of the Third Reich’s most fearsome weapons’: The daring mission to smuggle a V2 rocket out of Nazi-occupied Poland ) Përkthimi: Telegrafi.com Më , Ushtria e Kuqe e Bashkimit Sovjetik mbërriti në fshatin Blizna në veriperëndim të Reshovit në Poloni, duke e çliruar atë nga pushtimi nazist.

Një vendbanim i largët rural, i rrethuar me fusha bujqësore dhe një pyll i dendur me pisha, mund të dukej se kishte pak rëndësi ushtarake. Megjithatë, krateret e thella në tokën e pyllit, mbeturinat metalike dhe shtëpitë e rreme të fermave tregonin qëllimin e tij të fshehtë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pak ditë më herët – para se nazistët të tërhiqeshin – Blizna kishte qenë vendi i provave të lëshimit të një arme të re për të cilën Adolf Hitleri shpresonte se do ta ndryshonte rrjedhën e luftës kundër Aleatëve perëndimorë. E njohur nga gjermanët si Vergeltungswaffe (Arma hakmarrëse) 2, raketa V2 ishte arma e parë moderne balistike në botë.

E projektuar nga inxhinieri Wernher von Braun, me një rreze veprimi prej afërsisht 170 miljesh (280 kilometra) dhe me një kokë luftarake që peshonte një ton, shpejtësia e saj supersonike dhe lartësia e madhe e fluturimit e bënin atë një “armë mrekullie”, të aftë të shpërthente pa paralajmërim në qytetet që kishte në shënjestër.

Por, në verën e vitit 1944, pjesë të raketës V2 u kontrabanduan nga Polonia në Britani, në një nga misionet më të guximshme të fshehta të Luftës së Dytë Botërore. Nazistët filluan zhvillimin e raketës V2 në vitin 1936.

Megjithatë, shërbimi britanik i zbulimit nuk kishte qenë në dijeni të ekzistencës së raketës deri në fillim të vitit 1943 – siç u shprehën ekspertët në dokumentarin e BBC-së të vitit 1977, The Secret War [ Lufta sekrete ]. “Informatat ishin të pakta para vitit 1939, përkitazi me atë se gjermanët mund të ishin duke zhvilluar raketa me rreze të gjatë veprimi”, tha Dr. R. V.

Jones, shef i Zbulimit Shkencor Ajror. “Pastaj, nuk dëgjuam më asgjë deri në dhjetor të vitit 1942, kur një agjent i ri, i cili doli të ishte një inxhinier kimik danez, na tha se kishte dëgjuar rastësisht një bisedë në Berlin midis dy inxhinierëve të cilët thanë se po zhvillohej një armë e re dhe se po testohej në bregdetin e Baltikut”.

Pika e kthesës erdhi në vitin 1943, kur dy gjeneralë gjermanë, të kapur veçmas, u sollën në Britani për t’u marrë në pyetje dhe më pas u lejuan të bisedonin vetëm me njëri-tjetrin – pa dyshuar se dhoma ishte e pajisur me pajisje përgjimi.

Ata diskutuan pse raketat ende nuk ishin përdorur, duke thënë se diçka duhej të kishte shkuar keq, sepse më shumë se një vit më parë u kishin thënë se armët do të ishin gati brenda vetëm pak muajsh. Sipas Jonesit, njëri prej tyre tha: “Epo, ne jemi diku pranë Londrës dhe nuk kemi dëgjuar asnjë shpërthim, kështu që nuk mund të ketë ndodhur asgjë”.

Siç kujtoi Jonesi në vitin 1977: “[Analisti i zbulimit] Charles Frank … ishte ulur përballë meje dhe papritmas shkëputi shikimin nga leximi i raportit të marrjes në pyetje dhe tha: ‘Shiko, më mirë t’i marrim seriozisht ato raketa’”.

Britanikët zbuluan qendrën sekrete të kërkimeve të nazistëve për raketën V2 në Peneminde, në një ishull pranë bregdetit të Baltikut, dhe e bombarduan atë në gusht të vitit 1943. Pas sulmit ajror, nazistët e zhvendosën nga Gjermania vendin e testimit, të stërvitjes dhe lëshimit të raketës V2.

Ata zgjodhën një vend më në Lindje, në Poloni, rreth 150 milje (240 kilometra) në jug të Varshavës, të mbrojtur nga mbulesa pyjore. Blizna konsiderohej aq e rëndësishme nga pikëpamja strategjike, saqë në muajt pasues u vizitua si nga Hitleri, ashtu edhe nga arkitekti i tij i Holokaustit, Heinrich Himmler.

Megjithatë, armët testuese V2 kishin një të metë që do ta vononte vendosjen e tyre në përdorim për pothuajse një vit. Shumica e tyre shpërbëheshin në ajër, pak para se të arrinin objektivin e tyre – 200 milje (320 kilometra) larg, pranë lumit Bug në Poloninë Lindore.

Një repart i posaçëm trupash gjermane ishte vendosur atje për të rikuperuar pjesët e raketave të rrëzuara, që ato të analizoheshin nga shkencëtarët.

Të fshehura nën perime Megjithatë, siç tregoi në vitin 1977 narratori i dokumentarit The Secret War , William Woollard, “Disavantazhi kryesor i kësaj vendndodhjeje të re ishte se popullsia civile vendëse nuk ishte fort entuziaste që armët sekrete gjermane t’u binin nga qielli.

Atyre u ishte kërkuar nga rezistenca polake të përpiqeshin t’i mblidhnin mbetjet përpara se gjermanët të mbërrinin tek ato”. Në maj të vitit 1944, një raketë V2 ra – pothuajse e paprekur – në brigjet moçalore të lumit Bug. Banorët vendas e mbuluan me kallamishte dhe thirrën një udhëheqës të rezistencës polake, togerin Tadeusz Jakobski.

“Pikërisht aty ra raketa, pa shpërthyer”, i tha ai BBC-së nga vendi i ngjarjes, 33 vjet më vonë. “Gjermanët nuk arritën ta gjenin dhe, pas disa ditësh, e ndërprenë krejt kërkimin. Më pas e tërhoqëm raketën deri në breg dhe ekipi i ekspertëve erdhi nga Varshava për ta çmontuar”.

Pjesët u futën në thasë, të cilët u fshehën nën perime dhe u transportuan me karroca drejt Varshavës – përgjatë rrugëve fshatare pak të përdorura, nën mbikëqyrjen e partizanëve të armatosur në pyje.

Pavarësisht kontrolleve të vazhdueshme të sigurisë në kryeqytetin polak, fragmentet e raketës u kontrabanduan me sukses në qytet dhe në mesin e shkencëtarëve – të cilëve iu ngarkua analiza e përbërësve elektronikë – ishte edhe fizikani, profesori Janusz Groszkowski.

Nga frika se laboratori i tij në universitet mund të kontrollohej nga Gestapoja, rezistenca vendosi se një apartament privat do të ishte më i përshtatshëm për punën e tij – apartamenti i një oficeri gjerman i cili nuk dyshonte për asgjë. Qarqet elektronike fshiheshin natën në njërën nga valixhet e vetë oficerit.

“Para vizitës sime, kjo valixhe merrej nga dhoma e oficerëve dhe çohej në dhomën e posaçme të përgatitur për mua, që të kryeja hetimin [tim]”, i tha Groszkowski BBC-së. Ai punonte me orë të tëra në dhomën e vogël, nën rrezikun e vazhdueshëm që oficeri të kthehej papritmas. Megjithatë, siç kujtoi Groszkowski, “Kjo nuk ndodhi kurrë gjatë kohës që isha atje”.

Agjentët e rezistencës po e vëzhgonin oficerin gjerman. “Shërbëtorja e pyeste në telefon se çfarë dëshironte për darkë … për t’u siguruar se në atë kohë ai ndodhej në zyrën e tij në aeroport”, tha fizikani. “Por, nëse ai thoshte, për shembull, se ishte gati të kthehej më herët, unë [zhdukesha]”.

Dredhia në Varshavë u pasua nga një operacion tejet sekret për nxjerrjen e përbërësve, me emrin e koduar Wildhorn III (ose Operacioni Most III ).

Natën e 25 korrikut, një aeroplan transporti Dakota , i RAF-it [Forcat Ajrore Mbretërore], i pajisur me depozita shtesë karburanti për të mundësuar një kohë fluturimi prej 18 orësh, u ul në një pistë të braktisur ajrore pranë fshatit polak Vau-Ruda – në një territor të rrethuar prej njësive ushtarake gjermane.

Ai do të ngarkohej me 19 valixhe që përmbanin fragmente kyçe të raketës V2, skica teknike dhe raporte shkencore. Të informuar për operacionin përmes sistemve të koduara të transmetuara nga radio BBC, partizanët dolën nga pyjet aty pranë sapo Dakota u ul pak pas mesnate. Megjithatë, pasi ngarkesa u fut në aeroplan, ai nuk mundi të ngrihej meqë rrotat i kishin mbetur të bllokuara në baltë.

Dy herë gjithçka u shkarkua dhe pati përpjekje për të futur kashtë dhe dërrasa nën rrota për të shtuar fërkimin, ndërsa disa partizanë gërmonin baltën rreth rrotave me duar. Në një çast, drejtuesit e operacionit besuan se do t’u duhej të evakuonin pasagjerët dhe ta digjnin aeroplanin. Madje, ekuipazhi hodhi benzinë mbi mekanizmin e uljes. Por, më në fund aeroplani arriti të ngrihej.

Mënyra e vetme për ta mposhtur V2-në Transportimi ajror i guximshëm i Aleatëve bëri të mundur që një nga armët më të frikshme të Rajhut të Tretë të kontrabandohej jashtë Evropës së pushtuar nga nazistët, mu nën hundët e ushtrisë gjermane. Raketa V2 mbërriti e sigurt në Londër më dhe shërbimi britanik i zbulimit filloi të analizonte “armën mrekulli” të Hitlerit.

“Nuk ishte e nevojshme dhe as e mundur të transportohej e gjithë raketa – raketat V2-të peshonin rreth 12.5 tonë dhe ishin 14 metra të gjata – por, polakët e çmontuan me përpikëri, në mënyrë që të gjithë përbërësit thelbësorë të përfshiheshin në fluturimin për në Britani”, i ka thënë BBC-së, Guy Walters, historian dhe autor i librit Stealing Hitler’s Rocket [ T ë vjedhësh armën e Hitlerit ].

“Këto pjesë ishin absolutisht jetike, sepse për herë të parë shkencëtarët britanikë arritën të vinin dorë mbi ato pjesë që nuk ishin shkatërruar pjesërisht”. Misioni i fshehtë kishte siguruar informacion vendimtar për një armë terrori që do ta godiste Londrën për herë të parë më pak se gjashtë javë më vonë. “Ajo që britanikët nuk e dinin ishte nëse raketa kishte sistem drejtimi.

Nëse do të kishte një sistem drejtimi, atëherë mund të punohej për ta bllokuar nga larg, në mënyrë që raketat të dilnin nga kursi. Ajo që raketat e vjedhura u mësuan britanikëve ishte se raketa nuk kishte sistem drejtimi, gjë që u kurseu shkencëtarëve britanikë një sasi kohe të cilën përndryshe do ta shpenzonin duke zhvilluar kundërmasa.

Prandaj, mënyra e vetme e vërtetë për ta mposhtur V2-në ishte të fitohej lufta”.

Burimi: Telegrafi