Të qenit pjesë e formave më të padukshme të presionit në shoqërinë tonë, që nuk vjen gjithmonë nga pushteti apo institucionet, por shpesh nga njerëzit më të afërt me ne, na bën të trishtohemi. Kjo është një dukuri për këdo që të vlerësojë se si një mendim i pavarur, një analizë kritike apo një pyetje e vështirë mund të kthehen në shkak për distancim, keqkuptim apo edhe sulm personal.
Vihet re se, në shumë raste, kundërshtimi nuk drejtohet ndaj argumentit, por ndaj personit që e shpreh atë. Nuk analizohet ajo që thuhet, por pyetet se “nga cili krah vjen”. Një kritikë ndaj një fenomeni politik interpretohet si sulm ndaj një partie,ndërsa një kërkesë për llogaridhënie shihet si armiqësi aq sa po të shfaqësh një mendim ndryshe, konsiderohet si mungesë besnikërie.
Kjo më ka bërë të mendoj se një nga problemet më të mëdha të kulturës sonë publike është shndërrimi i miqësisë në një mekanizëm presioni. Shpesh miqtë tanë janë njerëz të mirë, me të cilët ndajmë kujtime, respekt dhe vlera njerëzore, por jo gjithmonë arrijnë ta shohin realitetin me të njëjtën qartësi.
Ndonjëherë ata mbeten të lidhur me një trashëgimi politike familjare, me një identitet partiak apo me një bindje të trashëguar, duke e pasur të vështirë të pranojnë një analizë që prek kampin me të cilin identifikohen. Por miqësia e vërtetë nuk duhet të kërkojë heshtje. Ajo duhet të tolerojë pyetjet, debatet dhe edhe mosmarrëveshjet. Kritika konstruktive nuk është tradhti.
Përkundrazi, ajo është një formë respekti ndaj shoqërisë dhe ndaj njerëzve që duam, sepse vetëm përmes së vërtetës mund të korrigjojmë gabimet tona. Një shoqëri që e trajton kritikën si armiqësi nuk mëson kurrë nga gabimet e veta, sepse ua mbyll rrugën pikërisht atyre zërave që do të mund t’i tregonin ku po gabon.
Nga kjo pikë nis edhe shqetësimi im për gjendjen e debatit publik shqiptar sot. Hapësira publike, në vend që të jetë një vend për ballafaqimin e ideve, fakteve dhe alternativave, shpesh është kthyer në një arenë ku mbizotërojnë emocionet, etiketimet dhe përplasjet personale. Një demokraci e shëndetshme nuk mund të ndërtohet pa një debat të shëndetshëm.
Por debati publik në Shqipëri po përballet me një krizë të thellë përfaqësimi dhe profesionalizmi. Në vend të përballjes së argumenteve, shpesh mbizotëron kontrolli i narrativës, përdorimi i frikës dhe zhvlerësimi i mendimit kritik. Një nga paradokset më të dukshme është se kemi një polarizim të madh politik, por një kulturë të dobët ideologjike.
Shumë njerëz mbrojnë me pasion “të majtën” ose “të djathtën”, por pa njohur në thelb historinë, filozofinë dhe parimet që qëndrojnë pas këtyre rrymave. Për shumë individë, politika nuk është më një përplasje idesh, por një identitet emocional, njësoj si tifozëria sportive.
Kjo mungesë kulture ideologjike e bën shoqërinë veçanërisht të cënueshme ndaj manipulimit, sepse kush nuk njeh parimet nuk mund të dallojë dot kur ato po shkelen në emër të tyre. Në këtë klimë, militanti shpesh zë vendin e qytetarit. Ai nuk pyet nëse një vendim është i drejtë apo i gabuar, por vetëm nëse i shërben kampit të tij .atij që e ka votuar.
Kështu, politika humbet dimensionin e saj qytetar dhe shndërrohet në një betejë besnikësh(fanatikësh). Kjo dukuri nuk është e re në historinë tonë.
Që në kohën e Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasa (1825-1892) paralajmëronte kundër ndarjes së shqiptarëve në kampe të kundërta, duke shkruar se feja e shqiptarit është shqiptaria, një thirrje për t’i vënë identitetin e përbashkët qytetar mbi çdo ndasi tjetër. Sot, ai mësim mbetet po aq i vlefshëm, vetëm se ndarjet fetare të asaj kohe janë zëvendësuar me ndarjet partiake të kohës sonë.
Paradoksi është se ndërsa Rilindja Kombëtare kërkonte të bashkonte shqiptarët përtej ndasive për t’i dhënë kombit një zë të vetëm, pjesë e klasës sonë politike sotme e kanë kthyer atë të njëjtën energji identitare kundër vetë kombit, duke e përdorur për të thelluar përçarjen në vend që ta shërojë atë.
Një shoqëri nuk kontrollohet vetëm përmes institucioneve,por edhe përmes frikës gjërë cilën Ismail Kadare e ka përshkruar këtë mekanizëm në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke shkruar se fillimi i çdo tiranie është frika dhe se gjëja më e rëndësishme për një pushtet të tillë është që njerëzit ta ndiejnë atë, pavarësisht metodës.
Frika nga linçimi publik, nga sulmet në rrjetet sociale, nga humbja e marrëdhënieve shoqërore apo nga izolimi profesional krijon një formë autocensure. Shumë profesionistë,kritikë, gazetarë, studiues dhe njerëz me përvojë zgjedhin të heshtin jo sepse nuk kanë çfarë të thonë, por sepse e dinë koston e të folurit. Rasti i gazetarit Osman Stafa e ilustron mirë këtë kosto.
Në qershor 2026, ai u sulmua verbalisht dhe fizikisht në qendër të Tiranës teksa shoqëronte dy gazetarë të huaj gjatë mbulimit të një proteste qytetare. Rrjeti SafeJournalists reagoi duke kërkuar hetim të shpejtë dhe të paanshëm.
Ky nuk është një rast i izoluar, por një sinjal se kostoja e të qenit gazetar në terren sot në Shqipëri nuk mbetet vetëm profesionale, po bëhet edhe personale e fizike. Kur kostoja e së vërtetës bëhet kaq e lartë, shumë zgjedhin thjesht ta shmangin atë, dhe kjo tërheqje e heshtur, shumëzuar me mijëra raste individuale, është ajo që në fund e varfëron gjithë hapësirën publike.
Kjo është një nga fitoret më të mëdha të çdo forme propagande: të krijojë bindjen se heshtja është më e sigurt se fjala. Një shqetësim tjetër është roli i disa zërave publikë që nuk funksionojnë më si analistë, por si prodhues të narrativave politike. Ata nuk e ndihmojnë qytetarin të kuptojë realitetin, por përpiqen t’i japin atij një interpretim të gatshëm.
Kjo është mënyra se si krijohet një publik i ndarë në kampe, ku secili dëgjon vetëm atë që i konfirmon bindjet e tij. Propaganda nuk ka gjithmonë nevojë të bindë; shpesh mjafton të përsërisë të njëjtin mesazh derisa ai të fillojë të perceptohet si i vërtetë. “Gënje, gënje, se diçka do të mbetet” është një shprehje popullore që përmbledh pikërisht këtë mekanizëm.
Siç na kujton Hannah Arendt (1906-1975), rreziku më i madh lind kur njerëzit humbasin aftësinë për të dalluar faktin nga trillimi, sepse në atë moment realiteti bëhet i manipulueshëm.
Kur kjo aftësi humbet në shkallë të gjerë, shoqëria nuk bëhet thjesht më e ndarë, por më e brishtë përballë çdo lloj manipulimi të ardhshëm, sepse ka humbur pikën e referimit që e dallon të vërtetën nga trillimi. Një dukuri tjetër që më shqetëson është prirja e disa komentuesve për ta shpjeguar çdo problem të shoqërisë shqiptare me një faktor të vetëm.
Për disa, çdo fenomen lidhet me fenë; për të tjerë, çdo problem është pasojë vetëm e komunizmit. Të dyja këto qasje janë të pamjaftueshme kur përdoren si shpjegim universal. Një shoqëri nuk mund të kuptohet përmes etiketave të thjeshta. Ajo është rezultat i historisë, ekonomisë, kulturës, edukimit, institucioneve dhe psikologjisë kolektive.
Mendimi kritik fillon pikërisht aty ku ne refuzojmë përgjigjet e gatshme. Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj krize është mënyra se si zhvillohen disa konferenca për shtyp dhe dalje publike të pushtetit. Në vend që të jenë momente llogaridhënieje, ato shpesh kthehen në skena komunikimi politik ku rëndësi ka më shumë kontrolli i imazhit sesa përballja me pyetjet.
Pyetjet e vështira të gazetarëve, veçanërisht të brezit të ri, jo rrallë përballen me ironi, sarkazëm apo sulme personale, në vend të përgjigjeve konkrete. Dy raste të kohëve të fundit e ilustrojnë këtë mirë.
Në mars 2026, gjatë një konference për shtyp, kryeministri u përplas verbalisht me një gazetare të Syri TV që kishte ngritur pyetje mbi standardet e dyfishta në trajtimin penal të qytetarëve krahasuar me rastin e ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, aq sa ndërpreu konferencën për pesë minuta dhe i kërkoi asaj të kufizohej vetëm në formatin e pyetje përgjigje.
Disa muaj më vonë, në një konferencë tjetër me pjesëmarrjen e gazetarëve europianë të ardhur për të mbuluar protestat, kryeministri u përball me një pyetje mbi projektin në Zvërnec dhe iu përgjigj me ironi e krahasime që lanë të habitur pjesën më të madhe të sallës.
Të dy rastet tregojnë se si përballja me pyetjen e vështirë zëvendësohet shpesh me kontroll të tonit e të narrativës, në vend të përgjigjes së drejtpërdrejtë. Kjo ndikon jo vetëm te gazetarët, por edhe te brezi i ri që sheh se guximi për të pyetur mund të ketë një kosto. Përballë kësaj situate, individi nuk është i pafuqishëm.
Mbrojtja fillon me një kulturë të re të konsumit të informacionit. Duhet të pyesim gjithmonë: kush përfiton nga ky mesazh? Cilat janë faktet? A kemi burime të besueshme? A po dëgjojmë një analizë apo një propagandë? Duhet të mësojmë të dallojmë faktin nga opinioni, kritikën nga fyerja dhe debatin nga konflikti.
Distancimi nga debatet toksike nuk është dobësi; është një mënyrë për të ruajtur qartësinë e mendimit. Po aq e rëndësishme është të mbështesim zërat e pavarur, gazetarinë serioze dhe hapësirat ku njerëzit mund të diskutojnë pa frikë dhe pa paragjykime.
Kjo mbështetje nuk kërkon domosdoshmërisht gjeste të mëdha; shpesh mjafton thjesht të lexojmë me vëmendje, të kontrollojmë burimet përpara se t’i shpërndajmë dhe të mos u japim hapësirë atyre zërave që jetojnë vetëm nga përçarja që krijojnë. Në fund, problemi më i madh i një shoqërie nuk është vetëm ekzistenca e propagandës, por dobësimi i aftësisë së qytetarëve për ta dalluar atë.
Nuk është vetëm zhurma e ekstremizmit, por edhe heshtja e njerëzve të arsyeshëm. Siç shkruante John Stuart Mill (1806-1873), ai që njeh vetëm anën e vet të çështjes, di shumë pak për të. Një shoqëri demokratike nuk ka nevojë për njerëz që mendojnë njësoj, por për qytetarë që kanë guximin të dëgjojnë, të analizojnë dhe të ndryshojnë mendim kur faktet e kërkojnë.
Liria e mendimit nuk mbrohet vetëm në ligje. Ajo mbrohet çdo ditë, në mënyrën se si flasim me njëri-tjetrin, në mënyrën se si pranojmë kritikën dhe në aftësinë për të mos u bërë pjesë e turmës.
Kjo liri nuk është një dhuratë e njëhershme, e fituar një herë e përgjithmonë me rënien e diktaturës apo me hyrjen në një sistem shumëpartiak; ajo është një ushtrim i përditshëm, që kërkohet, ruhet dhe rikonfirmohet nga çdo brez, sepse asnjë shoqëri nuk e ka fituar demokracinë njëherë e përgjithmonë. Sepse demokracia nuk fillon vetëm në kutinë e votimit.
Ajo fillon në momentin kur qytetari nuk është më thjesht ndjekës i një zëri politik, por bëhet një pjesëmarrës i ndërgjegjshëm në jetën publike, duke respektuar ligjin, duke kërkuar zbatimin e tij dhe duke ushtruar të drejtën e tij për të menduar, gjykuar dhe kërkuar llogari.
Vetëm një shoqëri që e kupton këtë mund të shpresojë të dalë nga cikli i frikës dhe të ndërtojë një kulturë publike ku pyetja e vështirë nuk trajtohet si kërcënim, por si shenja më e qartë e një demokracie që funksionon. Petrit R Aliaj.