Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon kontrollet në terren ndaj automjeteve që tejkalojnë peshën e lejuar, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së infrastrukturës rrugore.
Sipas ministrisë, respektimi i kufijve të lejuar të peshës është një faktor kyç për ruajtjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e dëmtimeve të infrastrukturës. Automjetet e mbingarkuara rrisin rrezikun e aksidenteve, shkaktojnë dëmtime të konsiderueshme në rrugë dhe veçanërisht gjatë temperaturave të larta, përshpejtojnë degradimin e asfaltit.
Ministria ka falënderuar Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e vazhdueshëm në zbatimin e kontrolleve, duke theksuar se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
“Do të vazhdojmë monitorimin në terren me të gjitha kapacitetet që kemi, për të mbrojtur infrastrukturën rrugore dhe për të garantuar siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion”, thuhet në njoftimin e MIT-së.
