Një 62-vjeçar ka përfunduar në ndalim policor në Podujevë, pasi gjatë ndërhyrjes së Policisë për një rast të raportuar si kanosje, atij iu gjetën armë dhe municion. Sinjali mëson se i dyshuari është Xhevdet Kastrati , 62 vjeçar. Sipas burimeve, Policia ka pranuar një informacion anonim për një rast të dyshuar kanosjeje në fshatin Bradash.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë kryer kontroll ndaj të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë TT, dy karikatorë, 17 fishekë të kalibrit 7.62 mm, si dhe një thikë.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Xhevdet Kastrati ka deklaruar se kishte shkuar bashkë me djemtë e tij për të kërkuar një borxh nga një person, por sipas tij, ai nuk kishte qenë në fermë, ndonëse e kishte telefonuar. Ndërkaq, djali i tij, ka deklaruar se nuk kishte dijeni që babai kishte armë me vete dhe se nuk kishin pasur ndonjë qëllim të keq.
Edhe dëshmitari tjetër, ka thënë se kishte shkuar në fermë vetëm për shëtitje me kalë dhe nuk kishte dijeni për armën. Me urdhër të Prokurores së Shtetit, ndaj Xhevdet Kastratit është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa ai është ndaluar për 48 orë. Rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
