Kosova është ndër vendet që po ecin më ngadalë në zbatimin e reformave të parapara me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa vonesat në përmbushjen e detyrimeve mund të çojnë edhe në humbjen e fondeve të destinuara për vendin.
Sipas një materiali të publikuar nga WeBalkans, vendet e Ballkanit Perëndimor po përparojnë me ritme të ndryshme në zbatimin e reformave, ndërsa Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten prapa. Kosova deri më tani ka marrë 61.8 milionë euro, nga 882.6 milionë euro sa janë paraparë fillimisht për vendin në kuadër të Planit të Rritjes.
Pas miratimit të Agjendës së Reformave nga Komisioni Evropian, Kosova ka nisur miratimin e legjislacionit të ri, zbatimin e reformave institucionale, digjitalizimin e administratës publike dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike, por procesi po ecën ngadalë, thuhet në këtë material, transmeton KosovaPress.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cituar nga WeBalkans, ka bërë të ditur se Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë të vetmet që ende nuk kanë raportuar formalisht për zbatimin e reformave. “Vetëm Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë raportuar ende formalisht për zbatimin e reformave”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Nga Brukseli është bërë e qartë se mjetet financiare varen nga realizimi i reformave të dakorduara dhe se vendet e rajonit duhet t’i përmbushin ato brenda afateve të përcaktuara. “Pagesat janë të kushtëzuara me përmbushjen e hapave të reformave” , thuhet në material, duke iu referuar qëndrimit të Komisionit Evropian.
Në rast të vonesave, vendet kanë një periudhë shtesë për t’i përmbushur kushtet, por nëse reformat nuk realizohen as brenda këtij afati, ekziston mundësia që paratë të humben. “Nëse kushtet nuk përmbushen brenda periudhës shtesë, shuma përkatëse mund të humbet dhe të rialokohet te përfituesit e tjerë në vitet pasuese” , ka paralajmëruar Komisioni Evropian, transmeton WeBalkans.
Afati për përfundimin e projekteve të financuara në kuadër të Planit të Rritjes është fundi i vitit 2027, ndërsa Komisioni Evropian ka bërë të ditur se nuk parashihet shtyrja e as zgjataj e tij.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon afrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian përmes integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian, forcimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përshpejtimit të reformave themelore.
Përfitimi i mjeteve nga Mekanizmi për Reforma dhe Rritje lidhet drejtpërdrejt me realizimin e hapave të përcaktuar në agjendat e reformave të secilit vend.
