Rreth 25 persona kanë mbetur të plagosur pas përplasjes së dy tramvajeve në qytetin e Gelsenkirchenit, në Gjermani. Sipas informacioneve paraprake, njëri tramvaj ishte ndalur në një segment të hapur të linjës, kur u godit nga një tramvaj tjetër me pasagjerë.
Policia ka bërë të ditur se shtatë persona kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike dhe nuk përjashtohet rreziku për jetën. Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitalet e zonës. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Autoritetet kanë ngritur një ekip të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat e përplasjes dhe arsyen pse tramvaji i parë ishte ndalur në mes të itinerarit. Pas aksidentit, një pjesë e bulevardit Kurt-Schumacher u mbyll në të dy drejtimet, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Më vonë, autoritetet rihapën vetëm një korsi.
Në vendngjarje u angazhuan dhjetëra ekipe shpëtimi, ambulanca dhe psikologë për t’u ofruar ndihmë pasagjerëve dhe personave të prekur nga ngjarja. Kryebashkiakja e Gelsenkirchenit, Andrea Henze, e cilësoi aksidentin si “një tronditje absolute”, pasi pa nga afër dëmet e shkaktuara brenda njërit prej tramvajeve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
