Nga: Rinesa Qorri , Donisa Fazliu , Arianita Hoti dhe Ardona Popova Shpërndaje në: Kosova nuk është bërë me Kuvend funksional.
Legjislatura e njëmbëdhjetë nuk është konstituuar në seancën që nisi të enjten, meqë ajo u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka kërkuar kohë shtesë për diskutime me përfaqësues të partive, me synimin për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.
Deputetët e legjislaturës së gjashtë kanë dhënë betimin në seancën konstituive që nisi të enjten dhe u ndërpre te pika për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, doli në foltoren e Kuvendit me kërkesën për ta dhënë propozimin për kryeparlamentar, por kryesuesit Avni Dehari i propozoi diçka tjetër.
Nga ai kërkoi të pauzohen punimet e seancës, me qëllimin për zhvillimin e diskutimeve me përfaqësues të partive të tjera që janë pjesë e Kuvendit, me synimin për të gjetur zgjidhje për presidentin. “Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë.
Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti. Kërkesa e Kurtit u përcoll me reagime të ligjvënësve të Partisë Demokratike, subjekt politik që është përcaktuar të qëndrojë në opozitë gjatë këtij mandati.
Pavarësisht reagimeve, kryesuesi Avni Dehari, i cili është deputet i Vetëvendosjes, i ndërpreu punimet e seancës. Edhe Arbëri 18 kor 2026 Ferizaj me peticion del kundër “Uroshevacit” E para ndërprerjes së saj, u arrit të përfundohen dy pikat e para të rendit të ditës: ajo për formimin e komisionit për verifikimin e mandateve të deputeteve dhe betimi i tyre.
Pas themelimit të këtij komisioni, seanca shkoi në mbi 30 minuta pauzë. Me t’u kthyer në sallë, kryetari i komisionit, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, deklaroi verifikimin e tyre.
“Komisioni në bazë të shqyrtimit të dokumentacionit të cekur më lart, konstaton se në legjislaturën e 11-të të Republikës së Kosovës janë certifikuar 120 deputetë nga subjektet politike dhe koalicionet që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë deputeti nga radhët e LVV-së, Adnan Rrustemi.
Me t’u konstatuar se gjithçka është në rregull me ligjvënësit e zgjedhur, ata dhanë betimin. Këtë e bënë edhe deputetët e Listës Serbe, subjekt që mbështetet nga Beogradi zyrtar. Seanca konstituive është e dyta që mbahet brenda 6 muajve, pas asaj të 11 shkurtit të po këtij viti që u organizua pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Megjithëse Kuvendi u konstituua atëkohë, legjislatura u shpërnda shkaku që nuk arriti ta zgjedhë presidentin. Për pasojë, u organizuan zgjedhjet e tretat në më pak se një vit e gjysmë.
Kurti: Çon në zgjedhje konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin Foto: Driton Paçarada E pasi seanca u ndërpre, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur besimin se sikur seanca konstituive të përmbyllej pa marrëveshje paraprake për presidentin, zgjedhjet e parakohshme do të ishin të pashmangshme.
Në një konferencë, Kurti ka thënë se do të bëjë përpjekje për bisedime edhe me PDK-në e Aleancën, krahas LDK-së. “Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshjen për çështjen e presidentit, praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit.
Në këtë mënyrë, dhënia e mundësisë për dialog politik për të arritur marrëveshje është e vetmja mënyrë dhe zgjidhja e duhur për konstituimin e plotë të institucioneve tona, ashtu siç e do rendi dhe ashtu siç kanë votuar qytetarët në zgjedhjet e lira e demokratike, ndonëse të parakohshme e të panevojshme, të 7 qershorit”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se duhet kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur arrihet dakordimi për çështjen e presidentit, mund të procedohet me konstituimin e Kuvendit.
“Është e nevojshme t’u kthehemi diskutimeve për ta zgjidhur çështjen e presidentit dhe kur ta kemi një marrëveshje ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive, pra kur të jemi të siguruar që kemi bërë çdo gjë për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme për shtetin, të paarsyeshme për qytetarët e të dëmshme për buxhetin dhe ekonominë”, ka thënë Kurti.
Pas certifikimit të rezultatit, Kurti ka ftuar në takime të ndara kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini.
Pas takimit të parë, Hamza ka thënë se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë, ndërsa Gjini e ka refuzuar takimin, duke thënë se deputetët e Aleancës do të participojnë në vendimmarrjen për institucionet nëse qeveria e ardhshme i realizon disa prej kërkesave të kësaj partie – nga aleanca me SHBA-në, deri te buxheti prej një miliard eurosh për kryeqytetin.
E, takimet kanë vazhduar me Abdixhikun, të cilat i pezulloi për një kohë, para mbledhjes së Kuvendit të LDK-së, në të cilën i mbijetoi shkarkimit. Kurti iu referua edhe këtij zhvillimi, gjatë arsyetimit të kërkesës së tij për ndërprerje të seancës konstituive. “Takimin e radhës e patëm vetëm pardje, që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur një dakordim politik.
Në këtë rast duhet theksuar se, përballë kësaj situate, e cila ka përvojë dhe trashëgimi, konsideroj se është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim me konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Kurti. Kurti ka insistuar se Kosovës i duhet president jopartiak dhe ka thënë se do t’i vazhdojë përpjekjet për ta bindur për këtë edhe PDK-në, LDK-në dhe Aleancën.
Abdixhiku: Kemi afrime me VV-në, por ende ka dallime në çështjen kryesore Foto: Driton Paçarada Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar para se të hyjë në seancën konstituive se do të vazhdojnë bisedimet me kreun e Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurti, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për institucionet.
Ai ka thënë se ka afrime në disa tema, por ende nuk është arritur pajtim për çështjen kryesore, atë të presidentit. Kurti insiston që presidenti të jetë partiak, kurse Abdixhiku që posti t’i takojë LDK-së. Me gjithë dallimin, kryetari i LDK-së ka theksuar se synimi i të dyja palëve mbetet shmangia e zgjedhjeve të reja. “Duhet kohë, duhet përpjekje.
Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët. Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam të shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, ka thënë Abdixhiku.
Edhe Arbëri 23 gus 2025 Bizneseve në veri s’u ndalet rryma, ekspertët e vlerësojnë diskriminues Këtë javë janë zhvilluar dy takime mes kryetarit të LVV-së dhe atij të LDK-së, ndërkaq një tjetër është realizuar pas certifikimit të rezultatit. Abdixhiku paralajmëroi se do të vazhdojnë takimet edhe në ditët në vijim, dhe vlerësoi se vetë fakti që dialogu po vazhdon, është një sinjal pozitiv.
“Do të jem në takime të vazhdueshme. Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye të mos konstituohet. Meqë po takohemi, është shenjë e mirë”, ka thënë ai.
E, pas ndërprerjes së seancës konstituive, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka lënë të hapur mundësinë të ketë përparim të shpejtë në bisedimet ndërmjet të dyja partive. “Shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive, por mbetet të shohim ka ose nuk ka”, ka thënë Zemaj të enjten. Një ditë më parë, Abdixhiku ka mbajtur takim me deputetët e zgjedhur.
Pas takimit, shumë nga ta, përfshirë Zemajn, kanë deklaruar se marrëveshja duhet pranuar vetëm me kushtin që LDK-së t’i takojë posti i presidentit. PDK-ja e Aleanca e cilësojnë të papërgjegjshëm vendimin për shtyrjen e seancës Foto: Driton Paçarada Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe ata të Aleancës e kanë gjykuar si të papërgjegjshëm vendimin për shtyrjen e seancës konstituive.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se kjo përbën abuzim me detyrën, vendimi i marrë nga kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin, dhe në fund dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër e shtyjnë propozimin e emrit të kryetarit dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional.
Këto sjellje të papërgjegjshme duhet të përfundohen”, ka thënë Hamza Hamza i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së parë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit, por e ka refuzuar të dytën, që i është bërë këtë javë. Ai ka thënë se nuk e sheh të nevojshëm një takim tjetër, edhe pse nuk e hodhi poshtë mundësinë që një i tillë të realizohet.
“Nuk kemi takim pa përmbajtje, pa produkt, pa rezultat nuk kemi nevojë të takohemi. Ne e kemi qëndrimin tonë, në mungesë të një vizioni, të një projekti serioz që m’i dhënë vendit institucione, mungesë të një oferte të përgjegjshme, mungesë serioziteti me krejt këtë proces, ne kemi deklaruar rolin tonë që do të jemi parti në opozitë”, ka thënë ai.
Nga liderët e partive të mëdha, ai i Aleancës është i vetmi që ka refuzuar ftesën e Kurtit për takim. Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se me mos konstituimin e Kuvendit, Kurti synon të fitojë kohë.
“Nëse ka qenë qëllimi që të dalë nga ky rreth vicioz dyvjeçar pse nuk ka folur me partitë politike për presidentin e Kosovës, sepse nyja është te presidenti, por e ka neglizhuar deri në këtë ditë. A po dëshiron Kurti që ta krijojë edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese që ende të shtyhet konstitutimi.
Kjo është taktikë që të marrë ndonjë pazar politik, të fitojë kohë e t’i marrë të gjitha institucionet që në fakt nuk i takojnë një subjekti politik”, ka thënë Tahiri. PDK-ja dhe Aleanca bashkë kanë bashkërisht 29 deputetë. Ndërkaq, LVV-ja, LDK-ja dhe komunitetet, pa përfshirë ligjvënësit e Listës Serbe, kanë bashkërisht numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta zgjedhur edhe presidentin.
Shoqëria civile kërkon që konstituimi i Kuvendit të bëhet pa vonesa Foto: Driton Paçarada Ndërprerja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e tij, ka nxitur reagime nga shoqëria civile.
Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se në kohën kur Kuvendi duhej të vazhdonte me zgjedhjen e organeve të tij, procedura konstituive u shndërrua në hapësirë për deklarime politike dhe negociata rreth zgjedhjes së presidentit. “Sipas nenit 9, paragrafit 3, të Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat.
Rrjedhimisht, kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera.
Zgjedhja e presidentit është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme kushtetuese, por ajo përbën proces të veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në reagimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi. IKD-ja ka kërkuar që konstituimi i Kuvendit të përfundojë brenda afatit kushtetues.
“IKD-ja kërkon vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, pa debate, pa improvizime procedurale dhe pa kushte politike. Çdo minutë e humbur në ditën e fundit e afron vendin drejt një shkeljeje të re kushtetuese.
Deputetët nuk janë betuar sot për t’i shërbyer kalkulimeve partiake, por për ta respektuar Kushtetutën dhe ligjin”, thuhet në reagim E hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka thënë se është e pakuptimtë të kërkohet “kohë shtesë për presidentin”, duke u shtyrë pikërisht procesi që e aktivizon atë afat.
“I vetmi afat që po shkon deri në fund është ai për konstituimin e Kuvendit, i cili përfundon nesër, në orën . Edhe pse kërkesa për kohë shtesë dhe ndërprerja e seancës nuk përbën shkelje në procedurale, të njëjtat nuk e pezullojnë dhe as nuk e zgjasin afatin kushtetues, brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet.
Pa u përmbyllur konstituimi, procedura për zgjedhjen e presidentit nuk fillon fare. Pas konstituimit, partitë do t’i kenë të plota 60 ditë për diskutime, marrëveshje dhe zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Cakolli.
Edhe Arbëri 58 min. më parë Gashi: Ta konstituojmë Kuvendin, pastaj bisedimet le të vazhdojnë për Qeveri dhe president Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre te pika e tretë e rendit të ditës, e cila parasheh zgjedhjen e kryetarit. Pika e katërt dhe e fundit është zgjedhja e pesë nënkryetarëve.
Dy pikat e para, që kanë kaluar, janë verifikimi i kuorumit e mandateve dhe betimi i deputetëve.
