Parlamenti i politikës tragjikomike të Kosovës!…

0%

Koha po dëshmon se asnjëherë më parë shoqëria kosovare nuk ka pasur një klasë politike më të degraduar se tani. Kjo gjeneratë e politikanëve, e cila po luan me ndjenjat e popullit dhe me fatin e Kosovës, është produkt i improvizimeve në procesin arsimor që i ndodhën Kosovës nga fundi i shekullit të kaluar e deri më sot.

Nga këto institucione arsimore, të cilat e humbën rrugën menjëherë pas luftës, duke hapur shkolla, fakultete e kolegje të ndryshme për interesa biznesore të individëve të caktuar të mafies tregtare, ekonomike e financiare, në të cilat institucione nxënësit nuk ngelin asnjëherë, studentët nuk bien nga provimet asnjëherë, u prodhua kjo gjeneratë që sot ka marrë në dorë fatin e politikës përmes të ashtuquajturave parti, të cilat nuk meritojnë asgjë më shumë sesa të përmenden.

Kjo tragjikomedi u vërtetua edhe sot, me rastin e seancës konstituive të Parlamentit të Kosovës, ku në rend dite ishte zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit dhe e trupave përkatëse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në vend të solemnitetit institucional dhe gëzimit për krijimin e institucioneve të reja, të ashtuquajturat parti politike vazhduan avazin e vjetër, duke u barrikaduar si më parë përmes hileve dhe tendencave, me botëkuptimin: “Bëne, o Zot, lëmsh sa më shumë”, vetëm për ta dëmtuar vendin.

Fati i shtetit të Kosovës, tash e dy vite, po testohet nga individë, përkatësisht nga të ashtuquajtur deputetë të pakicave, të zgjedhur me nga 100 vota, siç është rasti i Duda Balës, e cila është bërë faktor përcaktues për zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit apo të Qeverisë.

Këtë gjendje e krijuan këta “politikanë”, të cilët tash e 27 vite janë betonuar në Parlamentin e Kosovës, duke degraduar dhe gërryer themelet e Republikës. Distancimi apo ikja nga përgjegjësia për krijimin e institucioneve të shtetit nuk është asgjë tjetër përveçse sabotim ndaj vendit.

Të gjitha këto i ndodhën dhe po i ndodhin shtetit të Kosovës pikërisht nga kjo klasë politike, e cila është bërë e neveritshme për opinionin dhe për qytetarët normalë të këtij vendi. Më thotë mendja se ajo që po i ndodh Kosovës është fatkeqësia më e madhe brenda ngjarjeve të një shekulli.

Asnjë deputet, grup parlamentar apo lider partiak nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për kaosin që vetë e kanë krijuar, për interesa personale, karrieriste e lideriste.

Qytetarët e këtij vendi janë lodhur dhe ngopur nga veprimet e këtyre individëve, të cilët po e shfrytëzojnë pasivitetin e klasës intelektuale, e cila e ka humbur invencionin për t’u dalë ballë këtyre proceseve famëkeqe që po i ndodhin Kosovës përmes kësaj gjenerate politikanësh pa integritet, pa dije dhe pa vizion, të cilët e kanë rrënuar imazhin tradicional, moral, njerëzor dhe intelektual të këtij vendi.

Nëse kjo politikë qorre vazhdon ta çojë vendin sërish në zgjedhje të reja, nuk mbetet tjetër përveç aktivizimit qytetar, që përmes protestave dhe formave të tjera demokratike të reagojë për t’i larguar njëherë e përgjithmonë këta deputetë, “politikanë” dhe liderë nga ndërtesa e Parlamentit të Kosovës.

Burimi: Bota Sot