Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit Egzon Reshani, i dyshuar për katër vepra penale. Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Egzon Reshani.
Gjithashtu prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri ka qenë në kërkim mbi bazën e dy urdhër-arresteve aktive, ndërsa ndaj tij kanë qenë të lëshuara letër-rreshtim vendor dhe ndërkombëtar, të nxjerra nga gjykata kompetente me kërkesë të Prokurorisë. Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit do të zgjasë deri më .
Reshani dyshohet për katër vepra penale, përkatësisht dy vepra të detyrimit në bashkëkryerje, privim të kundërligjshëm të lirisë dhe frikësim gjatë procedurës penale në vazhdimësi.
Sipas vlerësimit të gjykatës, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, Reshani, në bashkëkryerje si pjesë e një grupi të organizuar, ka përdorur kanosjen për të detyruar të dëmtuarin të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij, duke i shkaktuar dëm pasuror, si dhe frikë, ankth, pasiguri dhe shqetësim për jetën e tij dhe të anëtarëve të familjes.
Po ashtu, sipas gjykatës, gjatë vitit 2025 ai dyshohet se, së bashku me katër të pandehur të tjerë, e ka privuar në mënyrë të kundërligjshme nga liria të dëmtuarin, duke e mbajtur të mbyllur.
Ndërkaq, gjatë vitit 2026, në intervale të ndryshme kohore, Reshani dyshohet se ka përdorur forcë, kanosje serioze apo forma të tjera të detyrimit për ta nxitur të dëmtuarin që të përmbahet nga dhënia e deklaratave dhe informatave të vërteta para prokurorit, me qëllim të pengimit të procedurës penale.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh se i pandehuri kishte qenë në arrati që nga janari i vitit 2026 dhe kërkohej si i dyshuar për disa vepra penale. Sipas gjykatës, lirimi i tij do të paraqiste rrezik të lartë që ai të largohej nga Republika e Kosovës për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se faza hetimore është ende në zhvillim dhe se duhet të sigurohen prova të tjera materiale, të merren dëshmitë e të dëmtuarit dhe dëshmitarëve, si dhe deklaratat e të pandehurve.
Për këtë arsye, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që, nëse i pandehuri do të lihej në liri, ai mund të ndikonte te i dëmtuari për të ndryshuar deklaratat e dhëna më parë, duke penguar zhvillimin normal të procedurës penale.
Sipas gjykatës, duke pasur parasysh peshën e veprave penale për të cilat dyshohet Reshani, si dhe mënyrën dhe rrethanat në të cilat ato dyshohet se janë kryer, vetëm masa e paraburgimit mund të sigurojë praninë e tij në procedurë dhe zhvillimin e papenguar të procesit penal.
