Mbrëmja e tretë nisi me librin për fëmijë pikërisht me panairin shëtitës të librit. Në këtë kuadër u promovuan disa libra për fëmijë me theks të veçantë stimulimin e leximit tek fëmijët. I pranishëm më këtë aktivitet ishte edhe shkrimtari dhe kritiku letrar Shefqet Dibrani, i cili jeton dhe vepron në mërgim.
Në zonën e debatit studiuesit Qazim Namani, Emin Sallahu trajtuan temën e asimilimit të shqiptarëve të besimit ortodoks, apo serbizimin e shqiptarëve ortodoks në Kosovë duke paraqitur fakte e dëshmi shkencore përmes disa rasteve në Drenicë, Gjilan, Artanë.
Referimi i studiuesve Namani dhe Sallahu zgjoi debat duke shprushë kujtesën për origjinën e shqiptarëve të asimiluar përmes fesë ortodokse meqë primatin ortodoks atëbotë e kishin serbët. Meqë primatin ortodoks atëbotë e kishin serbët, mbijetimi ortodoks është “siguruar” me serbizim.
U nënvizua se në zbardhjen e këtyre fakteve asimiluese është bërë pak në instutcionalizimin e këtyre gjetjeve. Zgjoj kureshtje sidomos rasti i Serbolub Maksimoviçit, ish-kryetar i Artanës, i cili e pranon se ishte me origjinë shqiptare, në kohën që ai deklarohet si shqiptar dy djemtë i kishte në vuajtje burgu si pjesëtar të eshalonit paramilitar të beretave të kuqe të Legijas famëkeq.
Të dy studiuesit akcentuan se duhet bërë çmos që me fakte shkencore të dekonstruktohet rrëfimi i vjetër për tre vëllezërit e ardhur nga Shkodra dhe të shpërndarë në vise të ndryshme të Kosovës, si një interferim i historiografisë serbe.
Përveç nxjerrjes nga harresa të kësaj teme, Emin Sallahu foli edhe për Okarinën e Runikut të zbuluar në vitin 1968 duke kujtuar kontribuuesin më të madh të afirmimit të okarinës Shaqir Hotin i cili nuk jeton më.
Në respekt të kujtimit për te, Sallahu ekzekutoi disa melodi me okarinë e cila sipas Sallahut është instrument muzikor para kohës ilire i zbuluar s’ pari në Bolonjë të Italisë ku edhe ka marrë emrin. Rrëfimi i natës së tretë vazhdoi me filmat dokumentar me çka u pasurua programi edicionit të 16- të i “Etno Fest”-it.
Gazmend Bajri, Shkurte Dauti kishin bërë film dëshmi për heroizmin e dhimbjes së Nënë Ferdonijes e cila përkundër të vërtetës se ka humbur të gjithë anëtarët e familjes në luftë, ajo jetën e bën fakt dhe forcë duke dëshmuar me shpirtit e saj ka dimensione të paimagjinueshme të fuqisë së Gruas, Nënës pavarësisht se gëzimi i saj në jetë ishte i shkurtë.
Ndërsa regjisori Fatlum Haziri solli në kujtesën tonë rastin e helmimit të nxënësve përmes filmit “Pesë lulet, një notë e humbur”, ku trajton një ngjarje tragjike padrejtësisht e harruar për të mos thënë të mbyllur dhe pa epilog ndëshkues për ata që kishin kryer këtë akt monstruoz. Pjesën teatrore e përmbushi aktori i ri Ergjan Mehmeti me monodramën ” No surprises” regjisor: Endrit Gashi.
Mehmeti me një interpretim të sforcuar ekspresiv rrëfen me gjuhën e trupit dhe me fjalë për fatalitetin në dashuri. E bukura e kësaj shfaqje ishte inkuadrimik i farkëtarit Unur, i cili në gjithë procesin e farkimit u bë zbërthyes i temës që trajtonte shfaqja. Dashuria, fataliteti, kërkim-shpëtimi përmes fesë, drogës dhe muzikës.
Unuri vazhdon në ushtroj zejen e farkatarit e cila si e tillë është në zhdukje dhe pikërisht sjellja e tij në “Etno Fest” është një kontribut kujtese për të ruajtur këtë zeje të vjetër fisnike siç u shpreh Fadil Hysaj, drejtues i festivalit “Etno Fest”. Mbrëmjen e mbushi me argëtim këngëtari Ardin Behrami me grupin CIPA – Band, me këngë të përpunuara në frymën e etno rockut.
Mysafirët u kënaqën me tingujt e muzikës dhe ushqimet tradicionale të “Etno Fest”-it. Pamje “Etno Fest” 2026. Foto: Agron Gërguri/Etno Fest. Pamje “Etno Fest” 2026. Foto: Agron Gërguri/Etno Fest. Pamje “Etno Fest” 2026. Foto: Agron Gërguri/Etno Fest. Pamje “Etno Fest” 2026. Foto: Agron Gërguri/Etno Fest.
