Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Spartakut të Moskës, duke deklaruar se transferimi te gjiganti rus ishte një vendim i lehtë dhe hapi më i madh i karrierës së tij.
Në intervistën e parë si lojtar i Spartakut, Daku u shpreh i emocionuar për aventurën e re dhe theksoi se kishte vendosur prej kohësh që, nëse do të largohej nga Rubin Kazani, destinacioni i vetëm do të ishte Spartaku. “Faleminderit për mikpritjen. Ky është një hap i madh në karrierën time.
E njoh shumë mirë Spartakun dhe jam shumë i lumtur që jam këtu.” Sulmuesi kosovar zbuloi se atmosfera e krijuar nga tifozët e Spartakut ishte arsyeja kryesore që e bindi të pranonte ofertën. “Që në ndeshjen time të parë kundër Spartakut me fanellën e Rubinit mbeta i impresionuar nga mbështetja e tifozëve.
Atëherë e kuptova menjëherë madhësinë e këtij klubi.” Daku tregoi gjithashtu se drejtuesit sportivë Francis Cagigao dhe trajneri Juan Carlos Carcedo i shprehën besim të madh, gjë që ndikoi në vendimin e tij. “U thashë të gjithëve, edhe agjentit tim, se nëse do ta lija Rubin, do ta bëja vetëm për Spartakun.
Kisha edhe oferta të tjera, por zgjodha klubin më të madh në Rusi.” Synimi: kampion dhe fitues i Kupës 26-vjeçari nuk e fshehu objektivin e tij kryesor, duke theksuar se nuk ka ardhur vetëm për gola, por për trofe. “Nuk kam fituar ende asnjë trofe në karrierë. Prandaj erdha këtu. Dua të fitojmë kampionatin dhe Kupën.
E di që Spartaku nuk është shpallur kampion prej dhjetë vitesh dhe dua të ndihmoj që kjo pritje të marrë fund.” Ai shtoi se kalimi nga Rubini te Spartaku do t’i japë mundësi të shfaqë edhe më shumë cilësitë e tij.
