A po armatoset Ballkani?

0%

Çdo cikël i ri i blerjeve ushtarake në Ballkan shoqërohet me tituj mediatikë që paralajmërojnë një “garë armatimi” ose madje një luftë të re në rajon. Megjithatë, një analizë objektive e kapaciteteve ushtarake, ekonomike, demografike dhe logjistike tregon se realiteti është dukshëm më ndryshe.

Nëse analizohen zhvillimet e viteve të fundit, del qartë se vetëm Greqia po ndërton një kapacitet të mirëfilltë ushtarak me karakter strategjik.

Programi i saj për blerjen e 20 avionëve luftarakë F-35, modernizimi i flotës ajrore me një kosto totale 3.47 miljard euro dhe sigurimi i tre fregatave moderne e vendosin atë në një nivel krejtësisht tjetër krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Këto investime janë pjesë e një strategjie afatgjatë që lidhet me pozicionin gjeostrategjik të Greqisë në Mesdheun Lindor, mbrojtjen e interesave detare dhe përmbushjen e detyrimeve brenda NATO-s.

Ndërkaq, shumica e vendeve të tjera të Ballkanit realizojnë blerje të kufizuara ushtarake që kanë më shumë karakter politik, diplomatik dhe simbolik sesa përgatitje reale për zhvillimin e një lufte konvencionale. Një nga elementët kryesorë të fuqisë ushtarake nuk është vetëm teknika, por para së gjithash kapaciteti njerëzor.

Në këtë aspekt, Ballkani përballet me një realitet të ri: rënien demografike, emigrimin masiv dhe mungesën e personelit ushtarak. Edhe Serbia, e cila shpesh paraqitet si fuqia më e madhe ushtarake në rajon, në praktikë nuk disponon potencial njerëzor për një luftë të zgjatur.

Numri efektiv i ushtarëve aktivë mbetet rreth 20 mijë, ndërsa shtetet e tjera të rajonit kanë forca edhe më të vogla. Këto shifra nuk krijojnë potencial për operacione të gjera ushtarake, sidomos në kushtet e luftës moderne.

Përvoja nga lufta në Ukrainë ka dëshmuar se fituesi nuk përcaktohet vetëm nga numri i tankeve apo avionëve, por nga aftësia për të mbajtur funksionale logjistikën për muaj e vite me radhë. Asnjë shtet i Ballkanit, me përjashtim të kapaciteteve më të zhvilluara të Greqisë, nuk disponon bazën industriale dhe rezervat logjistike për të zhvilluar një konflikt të gjatë ushtarak.

Lufta kërkon furnizim të pandërprerë me armë, municion, karburant, mjete transporti, pajisje mbrojtëse, uniforma, ushqim, shërbime shëndetësore, mirëmbajtje teknike dhe mbështetje financiare. Pikërisht në këtë segment shfaqen dobësitë më të mëdha të shumicës së vendeve të rajonit.

Prandaj, blerja e disa sistemeve të armatimit nuk duhet të interpretohet automatikisht si përgatitje për luftë. Në shumë raste, këto investime synojnë modernizimin e forcave të armatosura, rritjen e ndërveprueshmërisë me NATO-n, forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë dhe dërgimin e mesazheve politike në politikën rajonale.

Në Ballkan ekziston më shumë një garë për ndikim politik sesa një garë për luftë. Armatimi përdoret shpesh si instrument diplomatik, si element prestigji kombëtar ose si pjesë e partneriteteve strategjike me fuqitë e mëdha, ndërsa mundësia reale për zhvillimin e një lufte konvencionale mbetet shumë e kufizuar.

Nëse rajoni do të përballej me një krizë serioze sigurie, shumica e shteteve do të mbështeteshin në mekanizmat kolektivë të NATO-s, partneritetet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin rajonal, jo në kapacitetet e tyre të pavarura për zhvillimin e një lufte të gjatë.

Prandaj, pyetjes “A po armatoset Ballkani?”, përgjigjja ime profesionale është: Po, Ballkani po modernizon forcat e tij të armatosura, por kjo nuk do të thotë se po përgatitet për luftë. Përjashtim për nga shkalla dhe ambicia strategjike paraqet Greqia, e cila po ndërton një kapacitet të avancuar ushtarak me dimension rajonal dhe mesdhetar.

Shtetet e tjera kryesisht investojnë në modernizim, në përmbushjen e standardeve të aleancave dhe në forcimin e pozitës së tyre politike, ndërsa mungesa e personelit, kufizimet ekonomike dhe pamundësia për të siguruar logjistikën e një konflikti të zgjatur e bëjnë skenarin e një lufte konvencionale në Ballkan shumë pak të mundshëm.

Siguria e Ballkanit nuk do të varet nga numri i armëve të blera, por nga stabiliteti politik, bashkëpunimi rajonal, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe ruajtja e ekuilibrit strategjik. Në këtë kuptim, diplomacia mbetet arma më e fuqishme për paqen në rajon.

Burimi: Bota Sot