E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi vazhdon të jetë e paqartë. Drejtuesit e klubit spanjoll ia kanë paraqitur brazilianit një ofertë të re për rinovimin e kontratës dhe tani e presin një përgjigje të shpejtë, ndërsa nuk e kanë ndërmend ta zgjasin më tej këtë çështje.
Kontrata aktuale e Vinicius skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe, nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, Real Madridi do të detyrohet të marrë vendime të rëndësishme për ta shmangur rrezikun e largimit të tij si lojtar i lirë. Sipas raportimeve nga Anglia e nga Spanja, Arsenali vazhdon ta monitorojë situatën me shumë interes, përcjell “Gazeta Express”.
Klubi londinez është i gatshëm të përfitojë nëse negociatat mes Viniciusit dhe Realit dështojnë, por për momentin po i pret zhvillimet pa bërë lëvizje zyrtare. Real Madridi e ka bërë hapin e tij duke e përmirësuar ofertën financiare dhe tani e pret një përgjigje të menjëhershme nga lojtari.
Vendimi i Viniciusit do të jetë vendimtar jo vetëm për të ardhmen e tij, por edhe për strategjinë e tregut të klubit madrilen, i cili dëshiron ta mbyllë sa më shpejt këtë çështje.
