Komuna e Ferizajit ka njoftuar se Panairi i Librit në Ferizaj është hapur zyrtarisht me promovimin e librit “Shtet i Ri, Burrë Shteti Modern: Hashim Thaçi – një biografi”, me autorë Roger Boyes dhe Suzy Jagger, botuar nga shtëpia botuese “Fan Noli”. Ceremonia e hapjes mblodhi dashamirës të librit, autorë, botues dhe qytetarë, duke shënuar fillimin e edicionit të sivjetmë të panairit.
Sipas njoftimit, libri trajton jetën dhe veprimtarinë politike të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke sjellë një pasqyrë të zhvillimeve kryesore gjatë periudhës së ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Gjatë ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësi të njihen me botime të ndryshme nga shtëpi botuese vendore dhe të marrin pjesë në promovime librash, takime me autorë dhe aktivitete të tjera kulturore. Panairi i Librit në Ferizaj synon të promovojë kulturën e leximit dhe të krijojë një hapësirë ku publiku të afrohet më shumë me botën e librit.
