“Operatori i vinçit, kolegu im, vdiq vetëm pesë metra larg meje… Shoferi mbeti në kabinë. Edhe ai vdiq.” Svitlana Halchenko dridhet teksa kujton raketën balistike ruse që shpërtheu në vendin e saj të punës në Odesa, duke vrarë kolegët e saj, shkruan BBC. Svitlana punon si menaxhere e turnit në një depo në portin kryesor të qytetit.
Pavarësisht lëndimeve – ajo ecën me vështirësi dhe ende ka copëza predhash të ngulitura në këmbë dhe në shpinë – Svitlana është e vendosur të vazhdojë punën. Megjithatë, vendi i saj i punës, dikur plot gjallëri, tani është pothuajse i heshtur.
Rusia po intensifikon përpjekjet për t’i bllokuar lidhjet tregtare të Ukrainës me pjesën tjetër të botës, duke shtuar sulmet përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit në Detin e Zi. Nga infrastruktura e dëmtuar portuale deri te anijet e goditura, me ura të nxira nga zjarri dhe kontejnerë që ende nxjerrin tym, gjurmët e sulmeve janë të dukshme kudo.
Kjo vërehet veçanërisht në horizont, ku hyrjet drejt porteve dikur të mbushura me anije të Ukrainës – Odesa, Çornomorsk dhe Pivdennyi – tashmë janë pothuajse të zbrazëta. Svitlana përpiqet të ruajë buzëqeshjen gjatë gjithë bisedës, por dhimbja e saj është e dukshme.
Ajo përdredh vazhdimisht një faculetë me gishta, përpiqet të ruajë qetësinë dhe shikon larg, ndërsa lotët i mbushin sytë pas syzeve./KP/.
