Sot nis testi vendimtar për Kosovën, analistët zbulojnë çfarë e pret

0%

Dështimi i radhës për të arritur një marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka futur skenën politike në një fazë të ndjeshme, ndërsa koha për një dakordim të mundshëm po shkurtohet.

Takimi i fundit ndërmjet kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa marrëveshje, pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për bashkëpunim institucional. Pas takimit në ambientet e Kuvendit, Kurti tha për gazetarët s e “nuk kemi lajme përderisa s’kemi marrëveshje”. “Kur ta realizojmë marrëveshjen do të mund të ju njoftojmë”, tha Kurti.

Ndërkaq, Abdixhiku nuk është deklaruar për media pas takimit. Takimi i së mërkurës ndodhi disa orë pasi eksponentë të LDK-së deklaruan se partia e tyre kërkon postin e presidentit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kutjojmë se, sot, më 6 gusht, pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, e cila shënon edhe nisjen e afateve kushtetuese për formimin e Qeverisë së re dhe për procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Në këtë situatë, mungesa e një marrëveshjeje mes dy subjekteve kryesore politike ngre pikëpyetje për funksionalizimin e institucioneve dhe për mundësinë e shmangies së një krize të re politike.

Qarri: Presidenti duhet të zgjidhet nga qytetarët, jo të mbetet peng i pazareve politike Analisti politik Gani Qarri Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se ngërçi i vazhdueshëm politik dhe pamundësia e partive për të arritur konsensus për krijimin e institucioneve funksionale dëshmojnë se Kosova ka nevojë për ndryshime kushtetuese, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Sipas tij, kreu i shtetit duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo produkt i marrëveshjeve partiake. “Përvoja e keqe me partitë aktuale, për arritjen e konsensusit politik dhe krijimin e institucioneve funksionale shtetërore, e bën të domosdoshëm ndryshimin e neneve të nevojshme të Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit me votën e qytetarëve.

Presidenti duhet të jetë simbol i unitetit të popullit dhe jo vegël e partive politike, të cilat tash e gati dy vjet po e çojnë vendin nga zgjedhjet në zgjedhje dhe po e lënë pa institucione të qëndrueshme”, deklaron Qarri për “Bota sot”.

Ai thekson se me konstituimin e Kuvendit fillojnë edhe afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, por shpreh dyshime se kjo mund të realizohet për shkak të zhvillimeve të fundit brenda LDK-së.

“Rezultati i ngushtë i votimit për vazhdimin e mandatit të Lumir Abdixhikut tregon se brenda LDK-së ekzistojnë ndarje të thella, të cilat mund ta bëjnë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje me partinë fituese për zgjedhjen e presidentit, pasi mbetet e paqartë nëse numri i votave të deputetëve të kësaj partie do të jetë konstant ”, shprehet ai.

Qarri vlerëson se takimet e zhvilluara ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së nuk kanë prodhuar rezultat konkret, duke shtuar pasiguri rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje politike. “Përkundër takimeve disaorëshe ndërmjet përfaqësuesve të LVV-së dhe LDK-së, nuk pati asnjë marrëveshje konkrete.

U tha vetëm se bisedimet do të vazhdojnë, gjë që lë të kuptohet se ende ekzistojnë paqartësi dhe mospajtime serioze mes palëve”, thekson ai. Sipas analistit, oferta e bërë nga LVV-ja për bashkëqeverisje do të duhej të ishte shqyrtuar më seriozisht nga LDK-ja, duke pasur parasysh rezultatin zgjedhor dhe situatën e brendshme të kësaj partie.

“Oferta për postin e kryetarit të Kuvendit, pozitën e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri ishte një mundësi që LDK-ja duhej ta shqyrtonte me seriozitet. Në vend të kësaj, insistimi vetëm në postin e presidentit nuk ndihmon në zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale”, deklaron Qarri.

Ai shton se zgjedhja e një presidenti jopartiak do të ishte alternativa më e pranueshme për të gjitha subjektet politike dhe në interes të qytetarëve. “Edhe vetë LVV-ja është deklaruar publikisht se është e gatshme të mbështesë një president jopartiak. Ky do të ishte opsioni më i mirë për vendin dhe një mundësi reale për tejkalimin e ngërçit politik”, vlerëson ai.

Në fund, Qarri paralajmëron se mungesa e një marrëveshjeje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme, me pasoja politike dhe ekonomike. “Nëse nuk arrihet konsensus për funksionalizimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, rrezikohet vazhdimi i krizës institucionale dhe shkuarja në zgjedhje të reja.

Kjo do të ishte barrë e rëndë për buxhetin e shtetit, provë e durimit të qytetarëve dhe një situatë që nuk i shërben stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës”, p ërfundon Qarri.

Burjani: Kurti ka vetëm një rrugë, në të kundërtën zgjedhjet janë të pashmangshme Blerim Burjani Kurse për këtë temë, për “Bota sot” foli edhe Blerim Burjani, i cili tha se çështja është e komplikuar dhe se, sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka vetëm një rrugë për të shmangur zgjedhjet.

Ai theksoi se një marrëveshje me LDK-në do të ishte zgjidhja, duke i dhënë asaj pozitën e presidentit dhe disa ministri, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme. “Çështja është e komplikuar. Kurti ka vetëm një rrugë: t’ia japë pozitën e presidentit LDK-së dhe 5 ministri në mesin e ministrive, Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në të kundërtën, zgjedhjet janë të pashmangshme.

Më keq është shteti sesa LVV dhe LDK. Kokëfortësia e VV-së dhe ndoshta e elektoratit që voton kështu, duke e ditur se Kurti nuk jep institucione, por konflikt dhe prodhon zgjedhje, është problem serioz. Pra, nëse dihet pse duhet të votohet, kjo çështje mbetet e hapur. Ose vetëdijesim i elektoratit, ose vetëshkatërrim” , u shpreh Burjani.

Krahas kësaj, ai tha se përgjegjësia politike duhet të lidhet me interesin e shtetit dhe jo me interesat partiake apo individuale. “Vetëshkatërrimi vjen nga papërgjegjësia, frajerllëku politik dhe mosdashja e mosvendosja e shtetit në rend të parë, e jo interesi partiak dhe individual” , përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot