Pas tri ditësh, ka përfunduar këtë të mërkurë më 5 gusht në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë “Panairi i Grave në Biznes”, i cili u mbajt nga 3 deri më 5 gusht dhe mblodhi dhjetëra gra ndërmarrëse nga e gjithë Kosova për të prezantuar produktet e tyre artizanale, ushqimore dhe krijimet inovative.
Panairi, i organizuar nga Agjencia KIESA në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, u shndërrua në një hapësirë promovimi për bizneset e grave, duke ofruar mundësi për prezantimin e produkteve dhe krijimin e kontakteve me konsumatorët.
Njëra nga pjesëmarrëset në panair, Mevlide Muslija, tha për Telegrafin se organizimi i panaireve është një ndihmë e madhe për gratë që merren me punime tradicionale. “Është dita e tretë e panairit dhe jemi shumë të kënaqura. Kemi ardhur me vajza të reja, nuse dhe gra të moshuara, ku secila ka sjellë punën e vet.
I falënderojmë Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit që na e ka mundësuar këtë panair. Kemi mbetur shumë të kënaqura me organizimin”, tha Muslija shkruan Telegrafi. Ajo theksoi se në panair kanë marrë pjesë rreth 50 gra, të cilat kanë ekspozuar produkte tradicionale, punime antike dhe punë dore. “Këto panaire na ndihmojnë të dalim nga vështirësitë ekonomike.
Shumë prej nesh jemi mbajtëse të familjeve dhe do të dëshironim që qeveria dhe ministritë të organizonin më shpesh panaire të tilla. Kur ka panaire kemi mundësi të shesim produktet tona, ndërsa kur mungojnë, edhe puna jonë mbetet pa treg”, u shpreh ajo. Në panair mori pjesë edhe Mevlide Kamberi, e cila së bashku me Sofije Metollin prezantoi punime artizanale dhe çanta të punuara me dorë.
“Për momentin po punojmë çanta krahu dhe produkte të tjera artizanale. Falënderojmë organizatorët që na kanë mundësuar këtë tavolinë për t’i ekspozuar produktet tona. Kemi sjellë punime tradicionale të realizuara me dorë dhe vazhdojmë të punojmë modele të reja”, tha Kamberi. Ajo vlerësoi se puna artizanale kërkon shumë përkushtim dhe nuk është e lehtë.
“Procesi i punës nuk është aspak i lehtë, por e bëjmë me shumë dëshirë sepse duam ta ruajmë traditën. Jam pjesë e kësaj shoqate prej dy vitesh dhe përmes saj kam pasur mundësi të marr pjesë në panaire. Po të kishim pasur më shumë mbështetje më herët, do ta kishim zhvilluar biznesin shumë më shpejt. Panaire të tilla janë shumë të rëndësishme për gratë që merren me artizanat”, deklaroi ajo.
Panairi i Grave mundësi për promovimin e produkteve vendore Ndërkohë, Jeta Muja, themeluese e konceptit “House of Japan”, prezantoi produkte të frymëzuara nga gastronomia japoneze, të përgatitura në Kosovë. “Koncepti ynë synon të sjellë shijet autentike të Japonisë. Aktualisht ofrojmë dy kategori produktesh dhe jemi një biznes i ri, me vetëm dy deri në tre muaj aktivitet.
Produkti ynë kryesor është ‘Onigiri’ i cili është në klasen e sushit shumë e këndëshme me shije të njelmët, ndërsa ofrojmë edhe ëmbëlsirën tradicionale japoneze ‘Mochi’, me shije të ndryshme”, tha Muja. Edhe pse me profesion është farmaciste, ajo tha se biznesi lindi nga pasioni për kulturën dhe kuzhinën japoneze. “Kam qenë pjesë e panairit që nga dita e parë.
Për mua kjo nuk është një vështirësi, por një kënaqësi, sepse gjithçka ka lindur nga pasioni për gastronominë japoneze. Falënderoj organizatorët për mundësinë që na kanë dhënë ta prezantojmë biznesin tonë para qytetarëve”, përfundoi Muja.
Panairi i Grave Ndërmarrëse mblodhi rreth 50 ekspozuese nga fusha të ndryshme të biznesit, duke ofruar një hapësirë për promovimin e produkteve vendore, rrjetëzimin e grave sipërmarrëse dhe fuqizimin e ndërmarrësisë së grave në Kosovë.
