Shkëndija e Tetovës, nesër do të jetë mysafire e skuadrës skoceze Hibernian, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë të Conference League. Tetovarët u përballën me probleme para ndeshjes së nesërme, pasi trajneri Artim Pollozhani nuk udhëtoi me ekipin drejt Skocisë për shkak të vonesave në pajisjen me vizë.
Megjithatë, klubi ka bërë të ditur se problemi është zgjidhur dhe Pollozhani do të jetë në gjendje ta drejtojë skuadrën në përballjen ndaj Hibernianit.
“Për shkak të vonesës në procedurën e lëshimit të vizës për hyrje në Mbretërinë e Bashkuar, kryetrajneri Artim Pollozhani nuk udhëtoi me ekipin në Skoci dhe, për pasojë, nuk ishte i pranishëm në konferencën për shtyp dhe stërvitjen zyrtare para ndeshjes me Hibernianin. Konferencën për shtyp dhe stërvitjen i drejtoi ndihmëstrajneri Kushtrim Voka, së bashku me stafin teknik.
Klubi e ka zgjidhur problemin me vizën dhe trajneri Pollozhani do t’i bashkohet ekipit në Edinburg të enjten për ta udhëhequr Shkëndijën në ndeshjen kundër Hibernianit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Shkëndija.
