Kuvendi mblidhet nesër për konstituimin e legjislaturës së re

0%

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër për konstituimin e legjislaturës së re, vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues. Megjithatë, njohësit thonë se sfida kushtetuese lidhet me pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit, meqë neni 90 i Kushtetutës përcakton qartë se kjo detyrë nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.

Nesër, në orën , deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në sallë plenare për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë, vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues për këtë proces. Procedura nis me formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të Deputetëve.

Pas paraqitjes dhe miratimit të raportit të këtij komisioni, deputetët bëjnë betimin, ndërsa më pas vazhdon procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ka shpjeguar Vullnet Bugaqku nga KDI.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të fillojë procedura për formimin e Qeverisë, ndërsa më pas nisin edhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI. Bugaqku paralajmëron se një tjetër sfidë kushtetuese lidhet me pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Sipas tij, neni 90 i Kushtetutës përcakton qartë se kjo detyrë nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj. “Ky afat përfundon më 4 tetor dhe, nëse deri atëherë nuk zgjidhet Presidenti i ri, vendi mund të përballet me një situatë të paprecedentë, pasi Kushtetuta dhe Ligji për Presidentin nuk parashohin një mekanizëm për tejkalimin e këtij kufiri kohor”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.

Ndërkohë, analisti politik Artan Muhaxhiri vlerëson se kriza aktuale është rezultat i mungesës së vullnetit politik për t’i siguruar 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

“Në mungesë të kompromisit politik, vendi rrezikon të mbetet i bllokuar mes afateve kushtetuese, interpretimeve juridike dhe sfidave në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa skenari më realist mbetet ai i zgjedhjeve të reja”, tha Artan Muhaxhiri, analist politik. Legjislatura e re e Kuvendit doli pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Burimi: Bota Sot