KOKSH rikonfirmon mbështetjen për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

0%

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) mori pjesë në mbledhjen solemne për konstituimin e Komitetit Organizator të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm sportiv.

Takimi, i mbajtur në Prishtinë nën drejtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shënoi nisjen zyrtare të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, një nga ngjarjet më të mëdha shumëdisiplinore sportive në rajon.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i shoqëruar nga zëvendësministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha, theksoi se Shqipëria do të jetë një partnere e palëkundur e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe institucioneve kosovare gjatë gjithë procesit të organizimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në fjalën e tij, Ylli e cilësoi organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë si një moment historik për sportin shqiptar dhe atë kosovar, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për realizimin me sukses të këtij projekti. Një pjesë e rëndësishme e garave do të zhvillohet edhe në Shqipëri.

Sportet ujore do të organizohen në Durrës, duke e kthyer qytetin bregdetar në një nga qendrat pritëse të Lojërave dhe duke promovuar njëkohësisht potencialin e tij sportiv e turistik.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të lëvizjes olimpike, mes tyre kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, si dhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, të promovojnë sportin në rajon dhe të lënë një trashëgimi të rëndësishme infrastrukturore e organizative për të dy vendet.

Burimi: Bota Sot