Rruga në rehabilitim, bizneset në vështirësi

0%

Punimet në rrugën Prelez i Jerlive–Fshati i Vjetër, përgjatë magjistrales Prishtinë–Ferizaj, po vazhdojnë, por bizneset që veprojnë përgjatë këtij segmenti thonë se ato po u shkaktojnë vështirësi të mëdha në funksionimin e përditshëm.

Ata kërkojnë që projekti të përfundojë sa më shpejt, ndërsa Ministria e Infrastrukturës siguron se dinamika e punimeve është në përputhje me planin dhe se rruga do të përfundojë brenda këtij viti. Kjo është gjendja aktuale e rrugës nga fshati Prelez i Jerlive në drejtim të Fshatit të Vjetër, përgjatë magjistrales Ferizaj–Prishtinë, ku po vazhdojnë punimet për rehabilitimin e saj.

Megjithatë, bizneset që veprojnë përgjatë kësaj rruge po kërkojnë që punimet të përfundojnë sa më shpejt, pasi, sipas tyre, zvarritja e këtij projekti po ua vështirëson funksionimin dhe po u shkakton humbje. “Ne kemi pengesa të jashtëzakonshme në zhvillimin e biznesit tonë për shkak të gropave dhe pluhurit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjithashtu, hyrje-daljet në bizneset tona janë shumë të ngushta, gjë që e bën problematike qasjen dhe kyçjen e klientëve tanë”, tha Faton Sherifi – afarist. Një pjesë e përfaqësuesve të bizneseve, ditë më parë, kanë mbajtur edhe një protestë, duke kërkuar që punimet të mos zvarriten më tej, pasi kjo, sipas tyre, po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e veprimtarisë afariste.

“Ne kemi dalë këtu për ta kërkuar të drejtën tonë, sepse prej dy vitesh po përballemi me pengesat që na i shkakton kjo rrugë. Sidomos pluhuri po na dëmton, ndërsa klientët nuk kanë mundësi të vijnë për të shitur apo blerë mall, pasi rruga vazhdon të jetë e paasfaltuar. Presim që sa më parë të bëhet asfaltimi, në mënyrë që bizneset të lirohen nga kjo gjendje.

Madje, nuk po arrijmë t’i mbulojmë as shpenzimet e qirasë, sepse prej dy vitesh jemi të bllokuar nga kjo situatë”, theksoi Besnik Bega – afarist. Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës, në një përgjigje me shkrim për RTK-në, ka bërë të ditur se dinamika e punimeve në këtë segment rrugor po zhvillohet sipas planit.

Sipas ministrisë, punimet mund të shkaktojnë pengesa të përkohshme për bizneset që veprojnë përgjatë këtij segmenti, ndaj është kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe afaristët.

Ministria ka theksuar gjithashtu se, pas përfundimit të projektit, kjo rrugë do të ofrojë kushte më të mira të qarkullimit, lëvizje më të lehtë dhe mundësi më të favorshme për zhvillimin e bizneseve dhe për qytetarët e Ferizajt. Përfundimi i projektit për rehabilitimin e rrugës nga fshati Prelez i Jerlive deri në Fshatin e Vjetër pritet të bëhet deri në fund të këtij viti.

Burimi: Bota Sot