Shpërndaje në: Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u ka shkëputur kontratat 7 zyrtarëve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe dy zyrtarëve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) nga komuniteti serb, shkaku i mosparaqitjes në punë. Ministrja në detyrë Fitore Pacolli ka thënë se ata janë të njohur edhe si pjesëtarë të ish-“Mbrojtjes Civile”.
Pacolli në Facebook ka shkruar se vendimet janë marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendet e punës dhe bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Pacolli ka thënë se me vendimet e fundit numri i kontratave të shkëputura në kuadër të MMPH-së dhe institucioneve vartëse të saj arrin në 29. Më herët u shkëputën kontratat edhe për 20 zyrtarë të MMPH-së.
“Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse zyrtari publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
