Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila bën të ditur se nga 6 gushti kjo ministri do të nisë kontrolle intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit, duke paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj operatorëve që mashtronjnë konsumatorët, përcjell KosovaPress.
Sipas njoftimit të Mimoza Kusari-Lila, vendimi është marrë bazuar në gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), sipas të cilave përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, si dhe deklarimi i pasaktë i përbërjes së produkteve, përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mashtrim të konsumatorit.
Kontrollet do të kryhen nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkërendim me AUV-në, dhe do të përfshijnë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.
Sipas MINTI-t, inspektimet do të fokusohen në përputhshmërinë ndërmjet përbërjes reale të produktit dhe deklarimit në etiketë, deklarimin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe përbërësve të tjerë, saktësinë e emërtimit të produkteve, dokumentacionin e lëndëve të para, gjurmueshmërinë dhe produktet që ofrohen për tregtim.
Ministria ka bërë të ditur se çdo produkt për të cilin, pas verifikimeve zyrtare dhe analizave laboratorike, konstatohet se etiketa nuk pasqyron përmbajtjen reale, do të tërhiqet menjëherë nga tregu.
Ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë gjoba, tërheqje të produkteve nga tregu dhe masa të tjera të parapara me legjislacionin në fuqi.
MINTI u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë të respektojnë detyrimet ligjore për përbërjen, emërtimin dhe etiketimin e produkteve, duke theksuar se çdo deklarim i rremë apo mashtrues do të trajtohet me tolerancë zero.
Sipas ministrisë, qytetarët kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë konsumojnë, ndërsa institucionet do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Dje, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja bashkë me udhëheqës të AUV, në një konferencë për media prezantuan rezultatet e kontrolleve që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e bëri në disa qumështore të vendit, në tre muajt e fundit.
“Nga 471 mostra me rezultate: 381 mostra (81%) janë analizuar për përmbajtjen e yndyrës, 329 mostra (69%) për përmbajtjen e proteinës, 314 mostra (67%) për profilin e acideve yndyrore, 43% e mostrave për praninë e niseshtes, ndërsa 9.6% e mostrave për praninë e qumështit pluhur”, theksuan zyrtarë të AUV.
Edhe Fabrika Vita ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja lidhur me mostrat për produktet e qumështit.
