Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Olgert Muka, është arrestuar në Francë, ku autoritetet e akuzojnë për përfshirje në shpërndarjen e kokainës. 46-vjeçari është ndaluar nga policia franceze në Dijon pas më shumë se dhjetë ditësh vëzhgimi. Sipas hetimeve, Muka dhe një tjetër shtetas shqiptar dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në parkun Jardin de l’Arquebuse.
Pas arrestimit, ish-futbollisti ka dalë para gjykatës, ku ka dhënë versionin e tij për rrethanat që e çuan drejt këtij aktiviteti të paligjshëm. Sipas mediave franceze, ai ka treguar se prej rreth 18 muajsh ishte pa punë, pasi kishte humbur vendin e punës si trajner për shkak të problemeve shëndetësore.
Muka ka përmendur vështirësitë ekonomike dhe presionin për të mbajtur familjen, duke e përshkruar përfshirjen në këtë aktivitet si një zgjedhje të përkohshme të ardhur nga gjendja e vështirë financiare. Olgert Muka ka një karrierë të gjatë në futbollin shqiptar.
Ai ka luajtur me skuadra si Lushnja, Teuta, Dinamo, Bylis, Flamurtari, Partizani dhe Besa, ndërsa ka përfaqësuar edhe Kombëtaren shqiptare në dy ndeshje miqësore në vitin 2002. Pas largimit nga futbolli i luajtur, ai u orientua drejt karrierës si trajner.
Aktualisht, çështja ndaj tij vijon të shqyrtohet nga autoritetet franceze, ndërsa përballet me akuzën për shpërndarje të lëndëve narkotike.
