Një lojtar lotarie në Itali për pak sa nuk humbi një pasuri prej 1 milion eurosh, pasi hodhi gabimisht në kosh biletën fituese. Ngjarja ndodhi në qytetin Bitonto, pranë Barit, në rajonin jugor të Pulias, ku një biletë lotarie u gjet pas dy ditësh kërkimesh intensive mes rreth gjashtë tonë mbeturinash.
Sipas drejtorit të kompanisë së grumbullimit të mbeturinave Sanb, Roberto Nicola Toscano, lojtari anonim e kishte hedhur biletën pasi një terminal vetëshërbimi në një pikë shitjeje shfaqi mesazhin “nuk paguhet”. Në fakt, kjo nuk nënkuptonte se bileta ishte humbëse.
Sipas rregullave të lotarisë italiane, fitimet e mëdha nuk paguhen direkt nga shitësit, por duhet të kërkohen përmes një procedure tjetër. Gabimi u kuptua vetëm pasi lojtari u kthye në shtëpi dhe një familjar njohu kombinimin e numrave fitues, të cilin ata e luanin gjithmonë. Por kur u kthyen te pika e shitjes, biletat e hedhura në kosh tashmë ishin marrë nga ekipi i pastrimit.
Kështu nisi një kërkim i pazakontë. Punëtorët e Sanb arritën të identifikonin kamionin që kishte marrë mbeturinat dhe e ndaluan para se ato të përfundonin në kompaktor. “E izoluam kompaktorin dhe e vendosëm nën mbikëqyrje”, tregoi Toscano për mediat italiane. Më pas, punëtorët nisën kërkimin mes gjashtë tonë mbeturinash. Pas orëve të tëra punë, rreth orës të mëngjesit, bileta u gjet.
Ajo ishte brenda një qeseje të grisur, mes biletave të tjera të dëmtuara, por çuditërisht kishte mbetur ende e paprekur. “E preka biletën me fat, duke shpresuar se do të na sillte edhe neve pak fat”, tha Toscano. Dhe duket se ndodhi pikërisht kjo: pas përfundimit të operacionit, ekipi bleu një biletë gërvishtëse vetëm për argëtim dhe fitoi 50 euro.
Kostoja e gjithë operacionit të kërkimit do t’i faturohet fituesit, i cili më herët kishte pranuar përgjegjësinë për shpenzimet shtesë të shkaktuara gjatë rikuperimit të biletës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!