A ka pasur ndonjëherë jetë në Mars? Përgjigjja mund të jetë më afër

0%

Një studim i ri i paraqitur në konferencën hapësinore COSPAR në Firence tregon shenja të mundshme të jetës së lashtë mikrobike në Mars, bazuar në lëndën minerale dhe organike të gjetur nga roboti eksplorues i NASA-s, “Perserverance”, raporton Euronews .

Marsi është parë prej kohësh sa armiqësor aq edhe i papërshtatshëm për jetë – pavarësisht se është planeti në sistemin diellor më i ngjashëm me Tokën. Një studim i ri, i mbështetur nga gjetjet më të fundit nga misioni “Perseverance” (Këmbëngulja) i NASA-s, sugjeron se planeti dikur mund të ketë pasur kushte të përshtatshme për jetë.

Është një nga pyetjet më të mëdha të hapura në astronomi sot dhe ishte temë kryesore në COSPAR, konferenca kryesore botërore për kërkimin hapësinor e organizuar nga Instituti Kombëtar italian i Astrofizikës (INAF) dhe që është aktualisht në zhvillim e sipër në Firence.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Kombinimi i disa linjave të provave, siç është zbulimi nga roboti eksplorues i NASA-s, ‘Perseverance’, i mineraleve që në Tokë prodhohen nga mikroorganizmat, dhe i lëndës organike komplekse, po rrit gjasat që Marsi të ketë qenë i banueshëm, të paktën në të kaluarën”, ka theksuar për ANSA-n, Teresa Fornaro, studiuese në Observatorin INAF Arcetri dhe profesoreshë e astrobiologjisë në Firence, e cila bashkëpunon me robotin eksplorues, “Perseverance”.

Fornaro ka thënë se çdo jetë në Mars ka shumë të ngjarë të ketë marrë formën e mikroorganizmave që jetojnë nën tokë, të mbrojtur nga rrezatimi që bombardon sipërfaqen e planetit dhe që tërheq energji nga vetë shkëmbinjtë. “Deri më tani, kemi mbledhur vetëm prova indirekte.

Lënda organike që kemi gjetur, për shembull, ka një strukturë që është ndryshuar shumë, kështu që është e vështirë të gjurmohet origjina e saj. Do të kemi një përgjigje përfundimtare vetëm pasi të mund të analizojmë mostrat këtu në Tokë”, ka shtuar ajo.

Në Planetin e Kuq: Misionet ExoMars dhe Mars 2020 Kjo është arsyeja pse rezultatet nga misionet e ardhshme në Planetin e Kuq mund të jenë veçanërisht të rëndësishme. Kryesori midis tyre, sipas Fornaros, është ExoMars, i udhëhequr nga Agjencia Hapësinore Europiane (ESA), me robotin eksplorues “Rosalind Franklin” që do të marrë vëmendjen qendrore.

Lansimi është planifikuar për vitin 2028, me uljen në sipërfaqen e Marsit që pritet në vitin 2030. Misioni është tashmë në proces: sonda fillestare, “Trace Gas Orbiter”, u dërgua në vitin 2016 për të studiuar atmosferën e Marsit. Vetë roboti eksplorues do të pasojë më 2028, duke synuar të mbledhë prova të drejtpërdrejta për t’iu përgjigjur kryepyetjes – a ka pasur ndonjëherë jetë në Mars?

“Deri më tani, robotët eksplorues kanë qenë në gjendje të eksplorojnë vetëm sipërfaqen. ‘Rosalind Franklin’ do të jetë në gjendje të shpojë deri në dy metra në tokë, duke mbajtur instrumentet më të përparuara të dërguara ndonjëherë në Mars”, ka theksuar Fornaro, duke theksuar fushëveprimin inovativ të misionit.

Ndërkohë, roboti eksplorues i NASA-s, “Perseverance”, i cili filloi të eksploronte sipërfaqen e Marsit më 2021 në kërkim të gjurmëve të jetës së lashtë organike, është ende aktiv në planet. Misioni “Mars 2020” fillimisht ishte projektuar të zgjaste një vit marsian – rreth 687 ditë tokësore – por është zgjatur për një kohë të pacaktuar.

Roveri mbetet plotësisht funksional dhe mbledhja e tij e vazhdueshme e mostrave të shkëmbinjve vazhdon të nxisë përparime të mëdha në kërkimin hapësinor. Një mostër e mbledhur në verën e vitit 2024 – e njëjta që i referohet Fornaro – përmbante gjurmë të mundshme biologjike.

Megjithëse këto ende kërkojnë analiza të mëtejshme për t’u konfirmuar, administratori i NASA-s, Sean Duffy, e ka përshkruar zbulimin si “momentin kur i jemi afruar më shumë se kurrë jetës në Mars”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo