Milani dhe Interi kanë barazuar 1-1 në derbin miqësor të zhvilluar në “Optus Stadium” të Perthit, Australi, në një ndeshje që u karakterizua nga ritëm i mirë, raste të shumta dhe emocione deri në fund. Takimi nisi me një minutë heshtje në nderim të legjendës Franco Baresi, ndërsa lojtarët e Milanit zbritën në fushë me shirita të zinj në krah.
Pjesa e parë ishte e balancuar, me Milanin që u shfaq më kërkues në fazën sulmuese, por pa arritur të konkretizonte rastet e krijuara. Interi u rrit gradualisht dhe e mbylli pjesën e parë duke lënë përshtypje të mira. Zikaltrit kaluan në avantazh në minutën e 53-të.
Pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Nicolo Barella, Federico Dimarco përfitoi nga asistimi i mesfushorit italian dhe e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 0-1. Pas golit të pësuar, Milani reagoi duke i bërë disa zëvendësime dhe e rriti presionin në kërkim të barazimit.
Shpërblimi erdhi në minutën e 84-t, kur Christopher Nkunku fitoi një penallti dhe më pas e shndërroi vetë në gol, duke e vendosur rezultatin përfundimtar 1-1. Në fund, asnjëra skuadër nuk arriti ta gjente golin e fitores dhe derbi i parë i sezonit mes dy rivalëve të qytetit u mbyll në barazim.
