Ish-ministri Liburn Aliu intervistohet si i dyshuar lidhur me rastin

0%

Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu është intervistuar për rreth 3 orë në Prokurorinë Speciale në cilësinë e të dyshuarit për rastin e faljeve të borxheve, taksën ujore, të kompanive ambalazhuese të ujit.

Avokati i Aliut, Artan Qerkini para mediave ka thënë se klienti i tij është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe ka qenë tejet bashkëpunues dhe i është përgjigjur menjëherë ftesës së Prokurorisë Speciale.

Kurse, Librun Aliu pasi ka përfunduar intervistimin tha se është i lumtur që pas dy vite heshtje për sulmet që i janë bërë, ka pasur mundësinë që t’i shpalos të gjitha detajet para prokurorisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Është një lehtësim që pas dy vite heshtje pata mundësinë me marr edhe me sqaruar pak situatën para prokurorisë për të gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje, që ka degradu aq shumë, por që unë jam përgjigjur në heshtje”- tha Aliu para gazetarëve.

Sipas tij, të gjitha këto sulme kanë degraduar tej mase, duke shtuar se të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë si ministër në atë kohë kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Kam vepru në përputhje me ligjin, nuk ka asnjë vendim që mundet me më ndërlidh mu me këtë proces, po ashtu për pretendimin për mos veprim, këtu rasti ka qenë i audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe ka pas rekomandime dhe është vepruar në bazë të rekomandimit” – shtoi tutje Aliu. KALLXO.com mëson se prokurorja e rastit, është Shenaj Berisha.

Në këtë rast, në nëntor të vitit 2024 ishin arrestuar Izedin Bytyqi – sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Naser Hafizit , zyrtar në këtë ministri. Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për Naser Hafizin?

Në Kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në cilësinë e personit zyrtar dhe atë në cilësinë e Zëvendësuesit të Drejtorit të ARPL-së në MMPHI, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin për Ujërat e Kosovës, si dhe Udhëzimin Administrativ për Strukturën e Pagesave të Taksave Ujore.

Si dhe, ka anashkaluar në tërësi Raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar me qëllim të përllogaritjes së borxheve të Operatorëve Ekonomik – ambalazhuesve ndaj ARPL-së.

Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se Raporti tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga Operatorët Ekonomik është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore dhe pa verifikuar gjendjen faktike, ka iniciuar nxjerrjen e Vendimeve të kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa Operatorëve Ekonomik, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, më , pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e Vendimit preliminar për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit Compakt-Group- “Adea Group” për shfrytëzimin e ujit në vlerë të 3,616,812.00, ndërsa më për të njëjtin ambalazhues kishte iniciuar nxjerrjen e detyrimit financiar për shfrytëzim të ujit në vlerë prej 41,433,60 euro për periudhën kohore 2018-2021, duke mos inkasuar borxhin për periudhën kohore prej vitit 2010, prej kur këtij Operatori i ishte dhënë leja ujore, duke anashkaluar në tërësi Raportin e Grupit Punues Ministror dhe pa kryer asnjë verifikim zyrtar të gjendjes në terren, i përllogarisin borxhin në vlerë shumë të ulët krahasuar me të dhënat e konstatuara nga GP dhe në kundërshtim me UA.

Tutje, sipas Dosjes së Prokurorisë, më , Hafizi dyshohet se kishte iniciuar nxjerrjen e Vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE “Fluidi”, të cilit prej janarit 2009 deri në qershor 2021, i cakton si detyrim financiar 13,072.31 euro, edhe pse ky Operator vetëm për periudhën kohore prej vitit 2008-2013, sipas GP Ministror të vitit 2014, detyrohej për borxhin prej 4,458,24.00 euro, e nëse do të llogaritej edhe periudha kohore prej vitit 2014 e tutje borxhi do të ishte më i lartë.

Gjithnjë sipas Dosjes së Prokurorisë, i pandehuri më kishte iniciuar nxjerrjen e Vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE “FRUTTI”, të cilit prej 2017-2021 i përcakton detyrim financiar prej 39,81 euro, ani pse ky Operator ka operuar si ambalazhues dhe përllogaritja e detyrimit për ujin e shfrytëzuar është dashur që t’i llogaritet për litër të shitur e jo metër kub.

Në Dosjen e Prokurorisë thuhet, po ashtu, se më , i pandehuri kishte iniciuar nxjerrjen e Vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE “FRUTEX”, i cili si aktivitet kishte prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskuese, të cilit për periudhën kohore prej muajit korrik 2019 deri në dhjetor 2021 i kishte përcaktuar si detyrim financiar shumën prej 127.40 euro.

Tutje, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se sipas Vendimit, më , pa bazë ligjore kishte iniciuar procedurën për nxjerrjen e Vendimit për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit “Getrinke” SH.P.K – Vrellë, për shfrytëzim të ujit të papaguar në vlerë prej 411,180,00 euro, ndërsa më këtij Operatori për periudhën kohore maj-dhjetor 2012 deri në janar-dhjetor 2021, i përllogarit detyrimin financiar në vlerë prej 180,605.33 euro, duke mos marrë parasysh të dhënat e nxjerra nga GP Ministror.

Ndërsa, më , thuhet se pa bazë ligjore kishte nxjerrë Vendim për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit “Silca Gruop – Uji Miros”, për shfrytëzimin e ujit të papaguar në vlerë prej 2,255,040,00 euro, ndërsa më pas është marrë Vendim financiar duke anashkaluar të dhënat e nxjerra nga Grupi Punues Ministror, por duke i llogaritur borxhin në bazë të raportimit të OE-së se gjoja borxhi i përgjithshëm nga ky OE është në vlerë prej 553,247,30 euro, e këtë e bën pa i verifikuar të dhënat nëse raportimi nga ky OE është i saktë.

Gjithashtu, po me të njëjtën datë, thuhet se pa bazë ligjore kishte iniciuar nxjerrjen e Vendimit për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit N.T.P “ADI”, për shfrytëzimin e ujit të papaguar në vlerë prej 216,000.00 euro, ndërsa më pas për ambalazhuesin e njëjtë të ujit më , është marrë Vendim financiar me të cilin ky OE ngarkohet me detyrim financiar prej 48,783,94 euro, për periudhën kohore prej vitit 2011 deri në vitin 2022 – Vendim ky i kundërligjshëm, pasi që nuk janë marrë parasysh të dhënat e nxjerra nga Grupi Punues Ministror.

Sipas Dosjes së Prokurorisë thuhet se i pandehuri në shkelje të detyrave zyrtare si rezultat i përllogaritjes së borxheve në mënyrë të kundërligjshme, në muajin dhjetor të vitit 2023 kishte iniciuar procedurën për vazhdimin e lejes ujore, duke i mundësuar OE “FRUTTI” vazhdimin e lejes ujore, pa i plotësuar kushtet ligjore.

Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se këtë e kishte arritur duke ushtruar presion te zyrtarët e MMPHI-së, e duke i kërcënuar se nëse nuk do të vepronin sipas kërkesave të tij, do të inicionte procedura disiplinore për largim nga puna. Me këto veprime, Hafizi dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi, duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat – paratë kesh i ka futur në Sistemin bankar, me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

Tutje, thuhet se kishte bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve të tij, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat e tjerë një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh, edhe pse i ka marrë me transferim bankar.

Pastaj, e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t’i integrojë duke i konvertuar e maskuar në emra të personave të tjerë në asete të luajtshme dhe të paluajtshme. Me këtë, ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “shpëlarja e parave”.

Po ashtu, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.

Për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, ndërsa në vitin 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë, të cilën po ashtu nuk e kishte deklaruar e të cilën e kishte pasur obligim që ta deklarojë në vitin 2024.

Andaj, ai dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Po ashtu, Dosja e Prokurorisë pretendon se i pandehuri Hafizi duke marrë parasysh faktin se ka edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë dhe se bazuar në të dhënat për lëvizjet e tij të shpeshta të siguruara nga Sistemi për Menaxhimin Kufitar në shtetet e tjera të rajonit dhe më gjerë, e veçmas faktit se i njëjti disa herë brenda ditës ka hyrë dhe ka dalë nga territori i Republikës së Kosovës, në disa raste ka kaluar edhe në këmbë kufirin në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku dyshohet se ka në pronësi shtëpi, ekziston rreziku që po të lihet i lirë, do të arratiset nga Kosova në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë për Izedin Bytyqin? Sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar KALLXO.com, Bytyqi po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare pasi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar për të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL.

Sipas Prokurorisë, në bazë të raportit të Grupit Ministror vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro. Sipas Prokurorisë, i dyshuari pa verifikuar faktet ka nxjerrë vendim me të cilin ua ka zvogëluar borxhet operatorëve ekonomikë. Këto veprime, sipas Prokurorisë, janë marrë me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Bytyqi dyshohet se me vendimin u është ulur borxhi kompanive që merren me ambalazhimin e ujit dhe pijeve.

Sipas Prokurorisë, Izedin Bytyqi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka tejkaluar kompetencat e tij dhe gjatë vitit 2022-2023 u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm prej 10% të pagës bazë për punët e kryera brenda orarit të punës zyrtareve B.B. dhe M.K., të cilat nën presionin e të dyshuarit tjetër, Naser Hafizi, kishin përgatitur dosjet e operatorëve ekonomikë dhe kanë hartuar vendimet e kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve dhe vazhdimin e lejeve ujore, që sipas Prokurorisë nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në muajin nëntor të vitit 2021, Izedin Bytyqi kishte marrë vendim të kundërligjshëm duke emëruar komisionin për zhvillimin e procedurës administrative për akte ujore me anëtarë jashtë njësisë përgjegjëse, respektivisht kishte anashkaluar zyrtaren përgjegjëse M.M. si kompetente për vazhdimin e lejeve ujore, pasi që e njëjta kishte kundërshtuar që të bëjë vazhdimin e lejeve ujore pa i plotësuar kushtet ligjore.

Burimi: Kallxo