Deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë shprehur qëndrimin se kërkesa e partisë së tyre është që të kenë postin e presidentit. Hykmete Bajrami dhe Jehona Lushaku Sadriu artikuluan këtë kërkesë, një ditë pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk arritën ndonjë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.
Lushaku Sadriu tha se LDK gjithmonë ka kërkuar që institucionet e vendit të sigurojnë një balancë mes fuqive politike. “Pra edhe në këtë kuptim, domethënë kërkesa jonë është që presidenti t’i takojë LDK-së, në kuptimin që të diskutojmë së bashku për gjithë pushtetin edhe pastaj të bëhet ndarja në mënyrë proporcionale.
Ky ka qenë qëndrimi” , tha Lushaku-Sadriu për mediat para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së. Ndërkaq Bajrami tha për mediat se nuk i di detajet e takimit të djeshëm, por iu duk se Abdixhiku po insiston “me të drejtë” po insiston që partia e tij të ketë postin e presidentit.
“Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës” , tha Bajrami. Sipas saj, ofrimi i posteve ministrore nga LVV-ja nuk ofron garanci.
Pas takimit të tyre, që zgjati mbi tri orë, Kurti dhe Abdixhiku shprehën qëndrime të ndryshme sa i përket presidentit – moskonsensusi për të cilin muaj më parë mes partive nxiti zgjedhjet e 7 qershorit. Kurti insistoi se Kosovës i duhet një president konsensual, jopartiak, ndërkaq Abdixhiku tha se president konsensual është kushdo që i merr 80 vota të deputetëve.
Në zgjedhjet e qershorit, LDK-ja garoi me Vjosa Osmanin edhe për një mandat në krye të shtetit. “President konsensual është secili president që i merr 80 vota. LDK duhet të ndihet e përfaqësuar për t’i pasur votat e veta “, tha Abdixhiku mbrëmjen e 4 gushtit. Osmani, së bashku me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, ishin të pranishëm po ashtu në takimin me Kurtin.
Teksa LVV-ja dhe LDK-ja kanë paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve, më 6 gusht pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë. Me konstituimin e organit ligjvënës, nis rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë, por edhe të presidentit.
Deputetët më pas do të ketë kohë 60 ditë për të zgjedhur një president, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje – të katërtat që nga shkurti i vitit 2025. LVV-ja ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm. Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë. / REL
