Kur Deçani i dha dorën Pogradecit

0%

Ka çaste në jetë që nuk maten me orë, as me ditë, por me rrahjet e zemrës. Janë ato çaste kur gëzimi bëhet festë, kur loti i mallit përzihet me buzëqeshjen dhe kur dy familje, që deri dje nuk njiheshin, sot bëhen një. Një ditë e tillë ishte kjo.

Nga Deçani, qyteti i historisë, i besës dhe i krenarisë së Dardanisë, morëm rrugën drejt Pogradecit, qytetit që prehet buzë liqenit si një perlë e lashtësisë shqiptare. Nuk na solli këtu as kureshtja e udhëtimit, as bukuria e natyrës. Na solli një arsye shumë më e madhe: dashuria. Në këtë udhëtim nuk sollëm vetëm valixhe. Sollëm kujtime, emocione dhe copëza të shpirtit tonë.

Sollëm atë që një prind e ruan më me fanatizëm se çdo pasuri tjetër – vajzën tonë, Erlindën, lulen e familjes sonë. Nuk është e lehtë për një familje ta përcjellë bijën drejt një dere tjetër. Në atë çast zemra ndahet më dysh. Njëra pjesë mbetet në shtëpinë ku ajo u rrit, ndërsa tjetra e shoqëron përgjithmonë në rrugën e saj të re. Por kështu është jeta.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fëmijët nuk lindin për të mbetur gjithmonë pranë nesh; ata lindin për të ndërtuar lumturinë e tyre. Dhe ne sot jemi të lumtur që Erlinda po e fillon këtë rrugëtim në një familje fisnike, duke lidhur jetën me Eldin, me besimin se dashuria e tyre do të jetë më e fortë se çdo sfidë që mund t’u sjellë koha. Kjo martesë është shumë më tepër se bashkimi i dy të rinjve.

Ajo është takimi i dy familjeve, i dy qyteteve dhe i dy anëve të së njëjtës zemër shqiptare. Deçani dhe Pogradeci sot nuk janë më vetëm emra në hartë. Ata janë bërë ura që lidhin njerëz, kujtime dhe breza. Për shumë vite kufijtë u përpoqën të na ndanin. Historia ngriti pengesa, por nuk arriti kurrë të ndante gjuhën tonë, këngët tona, zakonet tona dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

Sot, kur bijtë dhe bijat tona martohen nga njëra anë në tjetrën, duket sikur historia po shëron plagët e veta. Dashuria po bën atë që shpesh nuk e arritën dot as traktatet, as marrëveshjet politike. Ajo po ndërton ura mbi lumenjtë e kohës dhe po i afron shqiptarët më shumë se kurrë.

Teksa shikoja të gjithë këta njerëz të mbledhur rreth së njëjtës sofër, më dukej sikur nuk kishte më as lindje e as perëndim, as kufij e as ndarje. Kishte vetëm fytyra të buzëqeshura, duar që shtrëngoheshin me sinqeritet dhe zemra që rrihnin në të njëjtin ritëm. Në atë çast kuptova se pasuria më e madhe e një kombi nuk janë vetëm malet, lumenjtë apo qytetet e tij.

Pasuria më e madhe janë njerëzit që dinë të duan, të falin, të respektojnë dhe të ndërtojnë miqësi që zgjasin më shumë se një jetë. Në emrin tim, si Neki Lulaj, vëllai i Xhevatit, dhe në emër të gjithë familjes Lulaj, falënderoj nga zemra familjen mikpritëse për fisnikërinë dhe dashurinë që na dhuruan.

Erlindës dhe Eldit u uroj që rruga e tyre të jetë gjithmonë e ndriçuar nga dashuria, mirëkuptimi dhe besimi. U bëftë shtëpia e tyre një vatër ku të mos mungojnë kurrë buzëqeshja, bekimi i Zotit, zëri i fëmijëve dhe ngrohtësia e sofrës shqiptare.

Dhe le të mbahet mend kjo ditë jo vetëm si dita kur u martuan dy të rinj, por si dita kur Deçani i dha dorën Pogradecit dhe kur dy familje u bënë një, nën bekimin e dashurisë dhe të kombit tonë shqiptar. Nuk ishin thjesht dy duar që zgjaten te njëra-tjetra. Janë dy degët e pemës shqiptare, janë dy qoshet e një ode. Janë mali dhe liqeni që duken si vëlla e motër.

E fjala e mençur e poetit është kaq e brishte para kësaj bukurie. Ta gëzojmë!! Sot e mot. Qoftë e bekuar kjo miqësi! Qoftë e bekuar kjo martesë! Qoftë i bekuar çdo hap që bashkon zemrat shqiptare.

Burimi: Bota Sot