Të martën, më , në Zubin Potok është bërë përurimi i rehabilitimit të kanalit kryesor të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, projekt me vlerë 18 milionë euro. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky projekt synon forcimin e sigurisë ujore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend.
“Sot po e përurojmë përfundimin e një projekti madhor të Ibër-Lepencit për sigurinë ujore dhe mbrojtjen e kanalit. Pranë kësaj pjese të kanalit të ujit, që tani nuk është më i dukshëm, dhe për një arsye të mirë, sepse është rehabilituar dhe, me kërkesë të banorëve, këtu është mbuluar për ta rritur sigurinë për të gjithë”- deklaroi Kurti.
Sipas tij, ky projekt dëshmon se Republika e Kosovës nuk mjaftohet me reagimin ndaj rrezikut, por, siç tha ai, ndërton kapacitete që rreziku të parandalohet dhe shërbimet të vazhdojnë t’u ofrohen qytetarëve me cilësinë e duhur, pa ndërprerë.
“Përmes këtij projekti, në vlerë prej 18 milionë eurosh, janë rehabilituar 37 segmente kyçe përgjatë 49 kilometrave të kanalit, si dhe është ndërtuar një rezervuar kompensues me kapacitet prej 30 mijë metrash kub, i cili mundëson furnizim emergjent për termocentralet ose ujësjellësit në rast nevoje emergjente”- tha ai.
Duke kujtuar sulmin e bërë para dy vitesh në këtë kanal, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky projekt ka rehabilituar kanalin dhe ka rithyer kapacitetin e tij fillestar, e ka përmirësuar cilësinë e ujit dhe ka modernizuar mënyrën se si menaxhohet e gjithë kjo infrastrukturë kritike.
“Herën e fundit që kemi qenë këtu ka qenë përafërsisht para një viti, kur puna në këtë pjesë ka filluar, ndërkohë që kishin kaluar më pak se gjashtë muaj prej se ishte përfunduar rehabilitimi i asaj pjese të kanalit që ishte cak i një sulmi terrorist.
Ky rast na bëri më së miri ta kuptojmë e ta ndiejmë thellë atë që të gjithë e dinim racionalisht: që Ujmani është jetik për sigurinë e vendit tonë”- deklaroi Rizvanolli. Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, falënderoi parafolësit dhe tha se projektet e tilla ndikojnë në ndryshimin e qasjes ndaj banorëve të veriut të Kosovës.
“Unë gjithashtu po mbetem i përkushtuar, së bashku me juve, që t’i vazhdojmë këto projekte, të cilat në esencë e ndryshojnë krejt qasjen ndaj banorëve të veriut të Kosovës”- tha Rashiq. Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, tha se projekti i inauguruar sot ndikon në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të furnizimit me ujë.
“Ne po garantojmë që qytetarët e nëntë komunave të Republikës së Kosovës, si dhe impiantet e KEK-ut, do të kenë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë edhe në kohët më të vështira”- theksoi Mujka. Kujtojmë se sulmi terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit” ka ndodhur më .
Më , gjykimi për rastin e shpërthimit në kanalin e “Ibër-Lepencit” ka vazhduar me dëgjimin e drejtorit të Infrastrukturës së këtij kanali dhe të ekspertit të ADN-së nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), kanali i “Ibër-Lepencit” ishte shpërthyer me 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT.
Mbrëmjen e 29 nëntorit 2024, një shpërthim me eksploziv dëmtoi një pjesë të kanalit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” në Varagë të Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë të pijshëm për disa komuna. Autoritetet e Kosovës e cilësuan rastin si sulm terrorist dhe nisën hetimet.
