Qeveria britanike ka vendosur të lirojë para kohe rreth 5 mijë të burgosur në Angli dhe Uells gjatë 10 muajve të ardhshëm, në përpjekje për të zbutur mbipopullimin e burgjeve dhe për të shmangur kolapsin e sistemit penitenciar.
Fillimisht ishte planifikuar që rreth 6 mijë të dënuar të përfitonin nga skema duke nisur nga shtatori, por pas ndërhyrjes së kryeministrit Andy Burnham, rreth 1.000 persona të dënuar për përdhunim, krime të rënda seksuale ndaj fëmijëve dhe abuzim seksual me të mitur u përjashtuan nga programi.
Ministri britanik i Drejtësisë, Alex Norris, deklaroi se do të dëshironte që edhe më shumë kategori të përjashtoheshin, por paralajmëroi se një veprim i tillë do ta çonte sistemin e burgjeve drejt kolapsit për shkak të mungesës së kapaciteteve.
Sipas planit, disa të dënuar për vepra të caktuara seksuale dhe të dhunshme do të mund të lirohen pasi të kenë kryer gjysmën e dënimit, me kusht që të mos kenë shkelur rëndë rregullat gjatë qëndrimit në burg. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga familjet e viktimave.
Kryeministri Burnham fajësoi mungesën e investimeve në sistemin penitenciar gjatë viteve 2010-2024, duke theksuar se pa këtë reformë do të rrezikohej funksionimi i policisë dhe gjykatave. Ai shtoi se të liruarit do të mbahen nën mbikëqyrje më të rreptë, përfshirë monitorimin me GPS për disa prej të dënuarve për krime seksuale.
Ndërkohë, opozita konservatore kërkon rritjen e kapaciteteve të burgjeve, marrjen me qira të burgjeve jashtë vendit dhe përshpejtimin e dëbimit të shtetasve të huaj të dënuar për vepra penale
