Publikohet Raporti i Stabilitetit Financiar për vitin 2025, BQK:

0%

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2025, në të cilin vlerësohen zhvillimet në sistemin financiar të vendit, rreziqet ndaj stabilitetit financiar dhe qëndrueshmëria e institucioneve financiare përballë zhvillimeve të pafavorshme.

Sipas BQK-së, pavarësisht pasigurive të larta, tensioneve gjeopolitike, presioneve inflacioniste dhe kushteve më të shtrënguara të financimit, sistemi financiar i Kosovës ka ruajtur stabilitet të lartë gjatë vitit 2025.

Në raport thuhet se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të shënojë rritje pozitive gjatë vitit të kaluar, ndërsa aktiviteti ekonomik është përshpejtuar në tremujorin e parë të vitit 2026. BQK vlerëson se pozicioni i qëndrueshëm fiskal, niveli i ulët i borxhit publik dhe ruajtja e disiplinës fiskale kanë kontribuar në zbutjen e rreziqeve makroekonomike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Raporti konfirmon se sistemi financiar i Kosovës ruajti stabilitet të lartë gjatë vitit 2025, duke dëshmuar qëndrueshmëri ndaj zhvillimeve në ekonomi”, thuhet në raport.

Sipas BQK-së, institucionet financiare kanë ruajtur një pozitë të shëndoshë financiare, ndërsa avancimi i kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, së bashku me politikat makroprudenciale, kanë forcuar kapacitetin e sistemit financiar për të përballuar rreziqet.

Raporti vlerëson se rreziqet ndaj stabilitetit financiar mbeten nën kontroll, ndërsa sistemi karakterizohet nga kapital i qëndrueshëm, likuiditet i mjaftueshëm, cilësi e mirë e aseteve dhe burime të qëndrueshme financimi.

“Kjo dëshmon se sistemi financiar vazhdon të kryejë në mënyrë efektive funksionet e tij kryesore, duke ruajtur besimin e publikut dhe duke mbështetur financimin e ekonomisë”, thekson BQK.

Një ndër gjetjet kryesore të raportit është se rezervat e kapitalit dhe likuiditetit, të kombinuara me kapacitetin për gjenerimin e të ardhurave, i mundësojnë sektorit financiar të vazhdojë funksionimin dhe mbështetjen e aktivitetit ekonomik edhe në kushte më sfiduese.

BQK ka bërë të ditur se edhe rezultatet e stres-testimeve kanë konfirmuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar në rast të materializimit të skenarëve të rënduar makroekonomikë dhe financiarë. Raporti i kushton rëndësi edhe politikës makroprudenciale të BQK-së, e cila synon identifikimin në kohë të rreziqeve sistemike dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të sektorit financiar.

Në dokument evidentohet gjithashtu progresi në forcimin e qëndrueshmërisë operacionale dhe kibernetike, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare. Sipas BQK-së, këto zhvillime kanë kontribuar në rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të sistemit financiar, si dhe në forcimin e aftësisë së tij për t’iu përshtatur rreziqeve të reja.

Megjithatë, institucioni paralajmëron se pasiguritë nga mjedisi i jashtëm mbeten të pranishme. Në këtë kuadër përmenden tensionet gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të cilat, sipas BQK-së, kërkojnë vëmendje të vazhdueshme institucionale.

BQK ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e politikave mbikëqyrëse dhe makroprudenciale, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, me synim identifikimin në kohë të rreziqeve dhe ndërmarrjen e masave për ruajtjen e stabilitetit financiar. Raporti i Stabilitetit Financiar për vitin 2025 është i qasshëm në faqen zyrtare të BQK-së, në seksionin “Publikimet”, në këtë link:

Burimi: Telegrafi