Aktori Andrew Garfield ka zbuluar se do të ishte i gatshëm të rikthehej në rolin e Spider-Man, por vetëm nëse projekti do të ishte diçka krejt ndryshe nga çdo gjë që fansat kanë parë më parë.
Aktori 42-vjeçar, i nominuar dy herë për çmimin Oscar, foli për mundësinë e rikthimit te personazhi gjatë një interviste për The Playlist, ku tha se një histori tradicionale nuk do ta bindte të vishte sërish kostumin e heroit, shkruan JustJared. “Do të më duhej që të ishte shumë, shumë e çuditshme. Do të duhej të ishte diçka shumë e pazakontë dhe krejtësisht jokonvencionale.
Nuk do të thosha e mërzitshme, por do të doja të ishte diçka krejt e papritur – një version i Spider-Man që nuk e kemi parë kurrë më parë, diçka që të vinte nga një drejtim krejt i papritur”, u shpreh Garfield. Ai dha si shembull një film të stilit udhëtim rrugor, duke sugjeruar se do të ishte i interesuar për një qasje më intime dhe ndryshe ndaj personazhit.
Edhe vitin e kaluar, gjatë eventit Middle East Film & Comic Con, Garfield kishte thënë se “do të donte ta luante sërish personazhin në njëfarë mënyre”, por vetëm nëse historia do të ishte “shumë e çuditshme”. “Do të doja të bëja diçka shumë unike, jashtë kornizave dhe befasuese”, kishte deklaruar atëherë aktori i Hacksaw Ridge.
Rikthimi i fundit i Garfield si Spider-Man ishte në filmin Spider-Man: No Way Home, ku ai u shfaq së bashku me ish-interpretuesin e Spider-Man, Tobey Maguire, si dhe Spider-Man-in aktual të universit Marvel, Tom Holland. Megjithatë, Garfield ka mohuar më herët zërat se mund të rikthehet në filmin Avengers: Doomsday dhe nuk ishte pjesë e Spider-Man: Brand New Day.
