​PDK: Komunat që udhëhiqnim në vitin 2025, më transparentet në Kosovë

0%

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vlerësuar se komunat që udhëhiqte ky subject politik gjatë vitit 2025 kanë shënuar rezultatet më të larta në Indeksin e Transparencës Buxhetore të Komunave, të publikuar nga Instituti GAP. Sipas një komunikate të PDK-së, Ferizaj, Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Prizreni dhe Vushtrria janë vlerësuar me rezultatin maksimal prej 100 pikësh.

Drenasi ka marrë 95 pikë, Hani i Elezit 97 pikë, ndërsa Skenderaj 92.5 pikë. PDK thekson se raporti vlerëson transparencën buxhetore për vitin 2025 dhe se gjatë asaj periudhe edhe Komuna e Mitrovicës së Jugut udhëhiqej nga kjo parti, duke e përfshirë rezultatin e saj në performancën e qeverisjes komunale të PDK-së.

Sipas parties së dytë më të madhe në vend, tetë komunat që ajo udhëhiqte atëherë kanë arritur një mesatare prej rreth 98.1 pikësh, krahasuar me mesataren prej 64.5 pikësh për të gjitha komunat e Kosovës. Në komunikatë thuhet se rezultatet tregojnë edhe përparim krahasuar me vitin paraprak.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ferizaj është ngritur nga 47.5 pikë në vitin 2024 në 100 pikë në vitin 2025, ndërsa Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Prizreni dhe Vushtrria kanë ruajtur rezultatin maksimal. Drenasi ka mbetur në nivelin e 95 pikëve, ndërsa Skenderaj është vlerësuar me 92.5 pikë.

PDK vlerëson se këto rezultate dëshmojnë përkushtimin e administratave komunale që ka udhëhequr për qeverisje të hapur, menaxhim transparent të financave publike dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve, thuhet në një kumtesë të saj, transmeton KosovaPress.

Sipas partisë, Indeksi i Institutit GAP mat publikimin e dokumenteve buxhetore dhe financiare, qasjen në informata për shpenzimet publike, transparencën për subvencionet dhe kontratat, si dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset e planifikimit buxhetor. Çfarë thotë raporti i GAP?

Dhjetë komuna të Kosovës kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh në Indeksin e Transparencës Buxhetore për vitin 2025, ndërsa gjashtë nuk kanë marrë asnjë pikë, sipas raportit të publikuar nga Instituti GAP, të martën.

Në krye të listës renditen Deçani, Ferizaj, Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Podujeva, Prizreni, Rahoveci, Shtimja dhe Vushtrria, të cilat kanë përmbushur të gjithë indikatorët e transparencës buxhetore.

Pas tyre vijnë Gjilani dhe Hani i Elezit me nga 97 pikë, Drenasi, Kamenica dhe Klina me nga 95 pikë, Gjakova dhe Skenderaj me nga 92.5 pikë, Suhareka me 90 pikë dhe Istogu me 89.5 pikë. Në mesin e tabelës ndodhen Lipjani me 85 pikë, Dragashi me 75 pikë dhe Prishtina me 72.5 pikë, ndërsa rezultatet bien ndjeshëm te komunat tjera.

Viti është vlerësuar me 55 pikë, Juniku me 53, Graçanica me 48, Malisheva me 44, ndërsa Peja dhe Mitrovica e Veriut kanë marrë nga 42 pikë. Rezultatet më të ulëta janë regjistruar te Ranillugu me 35 pikë, Fushë Kosova me 27.5 pikë, Mamusha me 15 pikë dhe Novobërda me 12.5 pikë.

Sipas raportit, komunat e Kllokotit, Leposaviqit, Parteshit, Shtërpcës, Zubin Potokut dhe Zveçanit nuk kanë marrë asnjë pikë në indeks. Raporti, sipas GAP, tregon dallime të mëdha në nivelin e transparencës buxhetore ndërmjet komunave.

Dhjetë nga to, me rezultatet më të larta bëjnë pjesë në kuartilin më të mirë, nëntë komuna renditen në kategorinë “i mesëm i lartë”, dhjetë në kategorinë “i mesëm i ulët”, ndërsa nëntë komuna janë në kategorinë me transparencën më të ulët.

Indeksi i Transparencës Buxhetore i Institutit GAP vlerëson publikimin e dokumenteve buxhetore dhe financiare, qasjen e qytetarëve në informata për shpenzimet publike, transparencën për kontratat dhe subvencionet, si dhe përfshirjen e qytetarëve në procesin e planifikimit të buxhetit.

Sipas Institutit GAP, mesatarja e transparencës buxhetore të komunave për vitin 2025 është 64.5 pikë, duke treguar se, megjithëse një numër i konsiderueshëm komunash kanë arritur standarde të larta të transparencës, mbeten ende dallime të mëdha ndërmjet komunave në publikimin e informacionit financiar dhe buxhetor.

Burimi: Bota Sot