Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të takohen sot, në vazhdën e takimeve për formimin e institucioneve të reja. Takimi i sotëm është i dyti pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa i pari pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i mbijetoi moconit të mosbesimit nga delegatët e partisë së tij.
Rreth negociatave “më te thelluara”, para dërgimit të ftesës së LVV-së për LDK-në, ka folur ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Konjufca të hënën ka deklaruar se pritet të ketë takime për formimin e institucioneve para seancës konsituive të Kuvendit, e cila do të mbahet të enjten.
“Unë pres që në ditët në vijim, bile edhe para mbajtjes së seancës të ketë edhe takime të tjera të nivelit politik mes partive politike, krejt me qëllimin që të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe t’i jepet mundësia krijimit të institucioneve të reja” , u shpreh ai. Në ditët në vijim, Konjufca deklaroi se pret që LVV-ja t’i dërgojë ftesë LDK-së për bisedime.
“Kjo është arsyeja pse 6 gushti u caktua, siç e keni parë, dhe pres që në ditët në vijim edhe t’i dëgohet ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kemi bisedime sa i përket kësaj mundësie” , tha ai.
I pyetur nëse pas konstituimit të Kuvendit pret që institucionet e tjera të formohen shpejt, Konjufca tha se është shumë optimist që me LDK-në do ta arrijnë një marrëveshje “për të gjitha pozitat e larta”. “Po, edhe për Presidentin ka shpresa.
Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, qysh e ka shpjegu edhe vetë kryeministri, edhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces”, tha ai. “Qëllimi ka qenë, edhe prej anës së LDK-së, është shpjeguar prej Kryesisë së kësaj partie që do të jenë të gatshëm të bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Pas kësaj, atëherë, jam shumë optimist që do të kemi një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Do të kemi një zgjidhje besoj”, shtoi Konjufca.
Gjersa, Konjfuca shprehet optimist për zgjidhjen e çështjes së presidentit, kujtojmë se nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pak ditë pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit deklaronte se partia e tij mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.
Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie. “Në rast se ky emër është Lumiri Abdixhiku, kryetar i partisë ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh brenda LDK-së kam unë”, theksonte Haziri.
A do të jetë presidenti/ja e re nga radhët e LDK-së? Analisti Nexhmedin Spahiu e sheh deklaratën e Glauk Konjufcës si pjesë të një procesi të zakonshëm negociues mes dy partive, ku secila përpiqet të përmirësojë pozitën e vet para arritjes së një marrëveshjeje.
“Tash përpiqen me i zbritë pazarin njëri tjetrit” , thotë Spahiu për “Bota sot”, duke lënë të kuptohet se LVV-ja dhe LDK-ja janë futur në një fazë më konkrete të bisedimeve, ku po testohet gatishmëria e secilës palë për kompromis.
Sipas tij, deklarata e Lutfi Hazirit se deputetët e LDK-së mund të votojnë të unifikuar vetëm për një kandidat të kësaj partie nuk do të thotë domosdoshmërisht se presidenti i ardhshëm do të jetë patjetër nga LDK-ja, por tregon se kjo parti po përpiqet ta përdorë peshën e saj parlamentare për të siguruar ndikim maksimal në proces.
Spahiu vlerëson se LDK-ja po tenton ta kthejë postin e presidentit në një instrument politik për të forcuar pozicionin e saj pas zgjedhjeve, ndërsa LVV-ja po përpiqet të ruajë kontrollin mbi procesin pa bërë lëshime të mëdha. Duke krahasuar deklaratat e ashpra paszgjedhore të Hazirit me tonin më pajtues të Konjufcës, Spahiu thotë se kjo tregon një ndryshim të rëndësishëm politik.
Sipas tij, pas zgjedhjeve palët kishin nevojë të konsolidonin elektoratin e vet dhe për këtë arsye përdorën gjuhë më të fortë, ndërsa tani, kur afatet kushtetuese po afrohen dhe presioni për zhbllokimin e institucioneve po rritet, retorika po zbutet dhe po lë hapësirë për negociata më të thelluara.
I pyetur për emrat e mundshëm nga LDK-ja, Spahiu konsideron se figura që do të kishte më shumë gjasa për konsensus do të ishte një profil me përvojë institucionale dhe me imazh më pak përçarës brenda spektrit politik.
Ai përmend se emra si Lutfi Haziri apo figura të tjera të njohura të LDK-së mund të qarkullojnë në diskutime, por thekson se zgjedhja përfundimtare do të varet nga gatishmëria e LVV-së për ta pranuar një kandidat të tillë dhe nga aftësia e LDK-së për ta mbajtur grupin parlamentar të bashkuar.
Sa i përket mesazhit politik, Spahiu vlerëson se një marrëveshje LVV–LDK për presidentin do të kishte peshë të madhe në raport me partitë e tjera opozitare. Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të sinjalizonte krijimin e një boshti të ri bashkëpunimi ndërmjet dy partive më të mëdha shqiptare dhe do ta vendoste PDK-në dhe AAK-në në një pozitë më periferike në proceset vendimmarrëse.
Njëkohësisht, ajo do të interpretohej si mesazh për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, veçanërisht në një periudhë kur vendi përballet me nevojën për funksionalizimin e institucioneve dhe me pritjet e partnerëve ndërkombëtarë për më shumë konsensus politik.
Ofertat, presidenti dhe zgjedhjet e reja Ndërsa, analisti Nexhat Haziri, për “Bota sot”, jep ofertat e mundshme të Kurtit ndaj Abdixhikut. Nga burimet e tij, Haziri thotë se Kurti është i prerë sa i përketë zgjedhjes së Presidentit. “Përkundër këtyre deklaratave qoftë të z. Konjufca apo të z.
Haziri, Kurti do t’i ofrojë vetëm 3-4 ministri për LDK-në, dhe eventualisht kryetarin e Kuvendit që LDK-në ta bëjë pjesë të koalicionit qeveritare, që për Kurtin do të ishte një partner pa fuqi politike dhe që nuk do t’i shkaktonte kokëçarje gjatë qeverisjes së tij, duke pasur parasysh edhe situatën e brendshme në LDK, ku z.
Abdixhiku ka kontroll vetëm mbi 9 deputetë, dhe që do të mund ta përzënte nga koalicioni kur do që ai ta shihte te nevojshme, pa e rrezikuar shumicën parlamentare.
Por, çështja kryesore është te zgjedhja e Presidentit, apo presidentes së vendit, ku sipas burimeve të mia Kurti është i prerë që ky post t’i takojë, që edhe nëse marrëveshje koalicioni me LDK-në, kjo nuk i garanton edhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes. Deri më tani nuk kemi parë por as nuk është shprehur ndonjë gatishmëri nga z.
Kurti që posti i presidentit/presidentes t’i takojë ndonjë partie tjetër, e as partnerit eventual të koalicionit që mund të jetë LDK-ja. Andaj në këtë aspekt z. Abdixhiku do të mjaftonin disa ministri dhe pjesëmarrje në borde më shumë për t’i rehatuar mbështetësit e tij dhe ta vazhdonte betejën e brendshme në LDK kundër rivalëve të tij partiakë”, shprehet Haziri.
LDK është e pamjaftueshme që t’i japë epilog çështjes së presidentit, thotë Haziri, gjersa shton se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja. “Ndërsa sa i përket procesit të zgjedhjes së presidentit/presidentes, edhe z.
Kurti është i vetëdijshëm se LDK-ja është e pamjaftueshme t’i dhënë epilog këtij procesi, dhe nëse ai është i vullnetshëm për t’i dhënë institucione të reja vendit dhe daljen nga kjo krizë politike e institucionale, ka vetëm një adresë dhe ajo është marrëveshje kompromisi më të gjitha subjektet politike që presidenti të propozohet nga partitë opozitare.
Çdo tentativë tjetër nuk do të prodhojë asnjë rezultat e as takimi i sotshëm në mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut. Me gjasë vendi po shkon drejtë zgjedhjeve të reja me një LDK të fragmentuar që do të ishte në favor të LVV-së, dhe nuk besojë që Kurti mos ta shfrytëzojë këtë momentum që mund t’i sjellë rritje në përqindjen e votave” , përfundon Haziri.
