Serie A ka ndryshuar rregullat për ndeshjet e shtyra ose të ndërprera. Për sezonin 2026/27, Liga ka përcaktuar procedura më të qarta, me synimin për të reduktuar pasigurinë dhe për të kufizuar problemet që lidhen me një kalendar gjithnjë e më të ngjeshur.
Ndryshimi kryesor, sipas “Calcio e Finanza”, lidhet me ndeshjet që nuk mund të nisin nëse nuk ka pengesa të veçanta, rikuperimi i tyre do të zhvillohet që të nesërmen. Përjashtim bëjnë rastet e papërshtatshmërisë së fushës, periudhat e ndeshjeve të FIFA-s, vendimet e mundshme të federatës dhe mungesa e të paktën dy ditëve të lira nga angazhimet e tjera zyrtare të skuadrave.
Në këto raste, ndeshja do të zhvillohet në “datën e parë të disponueshme”. Rregulla më të qarta janë vendosur edhe për ndeshjet e ndërprera, nëse pezullimi nuk sjell masa ndëshkuese nga organet e drejtësisë sportive, nuk do të luhet e gjithë ndeshja nga fillimi, por vetëm minutat e mbetura. Përcaktimi i minutave të paluajtura do të bëhet me vendim përfundimtar nga gjyqtari i ndeshjes.
Interesante është edhe mënyra e menaxhimit të listave të lojtarëve: në fushë mund të zbresin futbollistët që ishin të federuar dhe të pranishëm në momentin e ndërprerjes, si dhe deri në tre lojtarë të afruar më pas, me kusht që të mos vijnë nga skuadra kundërshtare.
Lojtarët që ishin zëvendësuar ose të përjashtuar me karton të kuq përpara ndërprerjes, nuk do të kenë të drejtë të rikthehen në fushë.
