Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri ka njoftuar se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë realizuar me sukses 124 procedura të gastroskopisë. Sipas njoftimit, përmes shërbimit të gastroenterologjisë, pacientëve u ofrohet diagnostikim dhe trajtim për sëmundje dhe çrregullime të traktit të sipërm tretës.
Gastroskopia është një procedurë diagnostikuese dhe terapeutike që u mundëson mjekëve specialistë të ekzaminojnë nga afër ezofagun, lukthin dhe duodenin, përmes një tubi të hollë dhe fleksibil të pajisur me kamerë.
Kjo procedurë mundëson zbulimin e hershëm të problemeve të ndryshme shëndetësore, përfshirë ulcerat e lukthit dhe ezofagut, gastritin, refluksin gastroezofageal, infeksionet si Helicobacter pylori, si dhe polipet apo masa të tjera të dyshimta.
Nga Spitali “Sheikh Zayed” u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos i neglizhojnë shqetësimet e vazhdueshme të sistemit tretës dhe të kërkojnë konsultë mjekësore në rast të dhimbjeve të vazhdueshme të lukthit, mundimit apo simptomave të tjera.
