Situata rreth rinovimit të kontratës së Vinicius Junior me Real Madridin vazhdon të mbetet pa zgjidhje dhe duket se është shumë më e ndërlikuar sesa ishte menduar fillimisht. Kontrata aktuale e brazilianit me klubin madrilen skadon në fund të qershorit të vitit 2027, që do të thotë se ai tashmë ka hyrë në 12 muajt e fundit të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2022.
Në rast se nuk arrihet një marrëveshje e re, Vinicius është lidhur me një transferim te kampioni i Ligës Premier, Arsenali, me trajnerin Mikel Arteta që raportohet se e dëshiron sulmuesin brazilian në skuadrën e tij.
Përfaqësuesit e Viniciusit, kompania Roc Nation, kanë reaguar duke kritikuar atë që e cilësuan si “informacion të rremë dhe të dëmshëm”, të publikuar vetëm për të tërhequr vëmendje. Megjithatë, ata nuk saktësuan nëse reagimi lidhej drejtpërdrejt me raportimet për Viniciusin apo me klientë të tjerë të kompanisë.
Sipas raportimeve, një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes lojtarit dhe klubit është bonusi për rinovimin e kontratës. Gjithsesi, thuhet se 26-vjeçari është i gatshëm të ulë kërkesat e tij financiare për të vazhduar te Real Madridi.
Megjithatë, sipas gazetës spanjolle AS , Vinicius ka edhe një kërkesë tjetër shumë të rëndësishme: ai dëshiron një marrëveshje për të drejtat e imazhit të ngjashme me atë që ka Kylian Mbappe. Sipas këtij raporti, sulmuesi brazilian kërkon që të përfitojë pothuajse 100 për qind të të drejtave të imazhit të tij, ashtu si francezi Mbappe në kontratën e tij me Real Madridin.
Kapet në kamera: Reagimi i Mikel Artetas kur pyetet për Vinicius Jr i thotë të gjitha Aktualisht, Vinicius ka marrëveshje sponsorizimi me 18 marka të ndryshme, mes tyre Nike, Visa, PlayStation, Apple dhe Gatorade. Në bazë të kontratës aktuale me Real Madridin, ai përfiton vetëm 50 për qind të të drejtave të imazhit.
Në futboll, të drejtat e imazhit përfshijnë pronën intelektuale që lidhet me lojtarin, si emri, pseudonimi, fotografitë, zëri, autografi dhe llogaritë në rrjetet sociale./ Telegrafi
