“Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” si akt patriotik e

0%

Shpërndaje në: Vepra monumentale e Skënder Latifit ka bashkuar shqiptarët në qendër të Preshevës, me librin i cili zbardh nëpërmjet fakteve e materialeve arkivore fatin e këtyre trojeve.

Libri “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës”, botuar nga Botimet KOHA vitin e kaluar, është cilësuar si një akt patriotik e shkencor e si një studim i thelluar për jetesën e mbijetesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Libri sfidon drejtpërdrejt historiografitë zyrtare të shteteve fqinje. Por Latifi nuk shkruan me emocion.

Ai mban distancë dhe u qëndron besnik burimeve që ka përdorur “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” ka mbërritur në vendin, historinë e të cilit e zbërthen në detaje si një vepër monumentale që përcjell fatin e kësaj hapësire. Libri i Skënder Latifit është përuruar në ditën e parë të gushtit në Preshevë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Njashtu sikurse libri – një lexim imtësor i fakteve e dëshmive shoqëruar edhe me rrëfime personale – edhe përurimi ka thyer klishetë e ngjarjeve të tilla. Në zemër të qytetit, në ambient të hapur përurimi është shndërruar në një lloj bashkëbisedimi midis autorit e studiuesve në panel dhe publikut.

“Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” që kap periudhën prej vitit 1843 deri më 2018 u botua dhe përurua nga Botimet KOHA në Prishtinë, dhjetorin e vitit të kaluar në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve vjetore për gazetari dhe letërsi, “Rexhai Surroi”.

Që atëherë u cilësua si vepër madhore e shkruar me rigorozitet dhe për këtë mjafton vetëm fakti që ka hiç më pak se një mijë e 500 fusnota. Shtjellimi i rrëfimit, siç shkruhet edhe në nëntitull, nis prej vitit 1843, kur në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Lugina shpërfaqet si territor i lakmuar dhe i instrumentalizuar nga fuqitë e kohës.

Është një punë kolosale bazuar në materiale arkivore osmane, serbe, bullgare, maqedonase, gjermane, britanike dhe shqiptare. Jo pak kohë ka kaluar Skënder Latifi nëpër arkiva gjithandej. Librit ia ka dhënë edhe dellin e tij prej gazetari me një stil unik. “Librin që lexuesit e kanë në dorë qysh prej dhjetorit e kam punuar për një periudhë kohore prej pesë vjetësh.

Nuk po i llogaris hulumtimet që ia kam bërë shtypit e arkivave dhe nuk po e llogaris edhe mbledhjen e dëshmive gojore të cilat i kam përdorur si burime në libër. Do të thotë është një punë e imja pesëvjeçare e cila është kapitalizur, sipas mendimit tim, në mënyrën më të mirë sidomos më cilësinë e botimit që e ka bërë shtëpia botuese ‘KOHA’”, ka thënë Latifi.

Edhe Kulturë 22 dhj 2025 Përurohet libri i Skënder Latifit “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018” Libri sfidon drejtpërdrejt historiografitë zyrtare të shteteve fqinje. Por Latifi nuk shkruan me emocion. Ai mban distancë dhe u qëndron besnik burimeve që ka përdorur.

“Gjatë hulumtimit, përpunimit të fakteve jam përpjekur që njëkohësisht ta dua dhe ta kuptoj thellë Luginën e Preshevës. Feridi (Selimi v.j.) e përmendi, tash mos të hyjmë në detajizim pse Luginë e Preshevës, pse Kosovë Lindore? Lugina e Preshevës është pjesë, vazhdimësi territoriale e Vilajetit të dikurshëm të Kosovës”, ka thënë Latifi.

Çështje si këto dhe shumë më shumë janë kryefjalë të “Rrëfimit për Luginën e Preshevës” i cili në 566 faqe – siç do ta përshkruante botuesja Flaka Surroi që në përurimin e parë të librit – ndjek procesin e riformësimit të kufijve administrativë, që nuk kishin qenë thjesht ndarje teknike, por mjete politike për rikonfigurimin demografik, nëpërmjet zhvendosjes së popullsisë dhe zhbërjen e identiteteve ekzistuese.

Përkundër peshës së veprës, autori i saj – i shquar për rrëfime e botime ekskluzive kryesisht nga fusha e historisë – e cilëson atë si plotësim të një zbrazëtie.

Deri më tani, Latifi ka botuar dhjetë vepra autoriale ndër të cilat “Dhjetë rrëfime për një tradhti” më 1994, “Kosova lindore në dritën e shifrave dhe fakteve” më 1997, “Profetët e rrejshëm” më 2004, “Rrugëtimi nëpër Luginën e Preshevës” më 2006, “Shkupi në kohë të paqes dhe tmerreve 1858 – 1944”, e të tjera. Me shkrime publicistike është paraqitur qysh prej viteve ’90.

Prej vitit 2006 jeton në Belgjikë. “Kam qëndruar ftohtë ndaj temës që e kam trajtuar. Kam qëndruar ftohtë mu për faktin se kam dashur që lexuesin e huaj apo një ndërkombëtar, apo kush e merr ta lexojë, mos ta përziej me emocionet tona që i kemi këtu, emocionet e përditshme”, ka thënë Latifi.

Librin “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës-1843-2018”, studiuesi Ferid Selimi e ka cilësuar si një studim të thelluar për jetesën e mbijetesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës e aty-këtu edhe për jetën dhe gjendjen e Kosovës. “Ajo që e veçon punën e Skënderit është se nuk i komenton të tjerët.

E shkruan ashtu siç ata e kanë thënë e shkruar, ndërkohë që ky pastaj e zbërthen, e bën një analizë të vetën”, ka thënë Selimi.

Edhe Kulturë 22 dhj 2025 Mehmeti dhe Sinanaj fitues të çmimit “Rexhai Surroi” për gazetari, Zela për letërsi Sipas tij studimi më vete ngërthen literaturë të bollshme, duke nisur nga dokumentet arkivore, studimet e botuara, librat, letrat, bisedat e intervistat me intelektualë e njerëz të rëndomtë të kohës, që shpalosin të dhëna e fakte.

Kur ka folur për burimet që ka përdorur autori ka thënë se ato e kanë ndihmuar të kuptojë më mirë pikëpamjet e tyre dhe për të qartësuar gjendjen rreth kufijve të Luginës së Preshevës.

“Për të marrë një kuptim të plotë, të detajuar e të besueshme të pikëpamjeve të autorit, studimi në vete ngërthen literaturë të bollshme, duke nisur nga dokumentet arkivore, studimet e botuara, librat, letrat, bisedat e intervistat me intelektualë e njerëz të rëndomtë të kohës, që shpalosin të dhëna e fakte të bollshme për temën në fjalë”, ka thënë ai.

“Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843 – 2018” shpërfaq territorin e lakmuar dhe të instrumentalizuar nga fuqitë e kohës (Foto: Zëri i Luginës) Një analizë më të thelluar veprës ia ka bërë gazetari e publicisti, Emin Azemi. Ka thënë se “Rrëfimi…” shpërfaqet si rishikim shterues i lëndës historiografike përmes skanerit të ftohtë gjeopolitik. E ka lidhur edhe me gjendjen e sotme.

Siç ka shkruar edhe në recensionin e botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” javën e kaluar, “ky kërkim shkencor projekton kod të ri të mendimit kritik, ku ashpërsia e dokumentit arkivor demaskon proceset retrograde të Beogradit”. “Përmes arkitekturës së pasur burimore, autori ndjek pulsin e historisë që nga Luftërat Ballkanike, e deri te diplomacia moderne e epokës Trump.

Pas leximit të kësaj vepre, në kujtesë ngulitet ajo vetmi e madhe historike, në të cilën u lanë këto hapësira etnike, duke përfshirë edhe plagën e sotme të pasivizimit të adresave”, ka thënë ai. Sipas Azemit, libri shmang çdo retorikë emocionale dhe romantike.

E ka cilësuar si projekt kolosal të autorit që merr vlerën e një akti të lartë patriotik e shkencor, sepse dokumenton për herë të parë në këtë nivel detajesh anatominë e një spastrimi të heshtur administrativ. Pos reflektimeve të autorit e të dy panelistëve, në përurim është hapur edhe diskutimi.

Ska qenë i pranishëm edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, i cili, sipas njoftimit të organizatorëve, ka vlerësuar lart veprën duke theksuar rëndësinë e saj për dokumentimin e historisë dhe trashëgimisë së Luginës së Preshevës.

“Në promovim mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Preshevës, Nexhmedin Ademi, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale, ndër ta drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Naser Nuredini. Kontribut në diskutimin rreth librit dhanë edhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.

Në emër të tyre, Xhemaledin Salihu foli për rëndësinë e veprës dhe vlerat që ajo sjell për studiuesit dhe lexuesit e historisë së Luginës”, kanë shkruar organizatorët. “Ky kërkim i zgjeruar historiografik ofron bazë të gjerë dokumentare që nxit reflektim të thellë mbi memorien kombëtare”, ka thënë Emin Azemi, duke shkëputur pjesë nga recensioni i tij.

Edhe Kulturë 22 dhj 2025 “Rexhai Surroi” për peshën dhe përgjegjësinë e fjalës së shkruar E, “Rrëfimi…” nga Latifi bën saktësisht këtë: thyen harresën, nxit reflektim. Dhe Skënder Latifi vazhdon kërkimet. Hulumtimi nëpër arkiva, për të tashmë është përditshmëri. Përurimi i organizuar nga “Zëri i Luginës” që ka mbledhur jo pak veta e emra të njohur, e ka rikthyer shpejtazi në vendlindje.

Por asaj dhe krejt hapësirës shqiptare ai i rikthehet përherë duke zbardhur fakte të fatit të shqiptarëve në këto anë.

Burimi: Koha