Ekspertët zbulojnë se qentë dhe macet nuk reagojnë vetëm ndaj asaj që u thoni, por mbi të gjitha ndaj mënyrës se si ua thoni Shumë pronarë u flasin qenve dhe maceve me një zë të butë dhe përkëdhelës. Sipas ekspertëve, kafshët nuk e kuptojnë domosdoshmërisht kuptimin e fjalëve, por dallojnë shumë mirë emocionet që përcjell toni i zërit.
Për to, mënyra se si flisni është po aq e rëndësishme sa vetë fjalët. Pikërisht nga intonacioni ato kuptojnë gjendjen tuaj emocionale, nëse jeni të qetë, të lumtur apo të zemëruar. Studimet tregojnë se qentë përpunojnë fjalët dhe intonacionin në pjesë të ndryshme të trurit.
Kjo shpjegon pse një urdhër i thënë me dashuri dhe gëzim jep një reagim krejt ndryshe nga i njëjti urdhër i shqiptuar me nervozizëm. Edhe macet e njohin zërin e pronarit, ndonëse reagimet e tyre janë më të përmbajtura. Ato mund të lëvizin veshët, të ndryshojnë shikimin ose të kthejnë lehtë kokën, duke treguar se e kanë dëgjuar mesazhin, trasnmeton Telegrafi.
Kafshët krijojnë shpejt lidhje mes fjalëve që dëgjojnë shpesh dhe situatave të caktuara. Për shembull, nëse emri i tyre përmendet gjithmonë para ushqimit ose nëse një fjalë e caktuar përdoret sa herë që dilni për shëtitje, ato fillojnë ta lidhin atë fjalë me ngjarjen përkatëse.
Këlyshët dhe kotelet, me të cilët komunikohet vazhdimisht me një zë të qetë dhe miqësor, përshtaten më shpejt me njerëzit. Kjo mënyrë komunikimi i ndihmon të përqendrohen më gjatë dhe ua lehtëson procesin e socializimit. Ekspertët theksojnë se komunikimi i rregullt dhe i qetë krijon te kafshët një ndjenjë sigurie.
Fjalët e përsëritura bëhen sinjale të parashikueshme, ndërsa kjo parashikueshmëri i ndihmon ato të kuptojnë më mirë rutinën e përditshme, të përshtaten më lehtë me ndryshimet dhe të ndihen më të sigurta pranë njerëzve.
