Në mëngjes u zgjuan me lajmin se një pjesë e shtëpisë u ishte djegur. Zana Berisha, e cila bashkë me familjen e saj ishte në prag të kthimit në shtëpinë e tyre pas 28 vitesh, u shpreh e zhgënjyer me atë që e cilësoi si një “sulm qyqar”, pasi dikush kishte tentuar t’ia digjte shtëpinë, mesnatën e së dielës. “Arsyet janë të dijshme, aktualisht, meqë historia jonë është bërë publike.
Meqë thirrja ime është bërë publike, në lidhje me kthimin e banorëve të tjerë shqiptarë në këtë pjesë veriore. Dikujt kjo nuk i konvenon. Kjo nuk do të thotë që ne kemi me u zmbrapsë. Ky sulm na forcon bindjen që jemi në rrugën e drejtë, nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa na takon”- tha Berisha.
Edhe pse e dëshpëruar teksa shikonte pjesën e djegur të shtëpisë, ajo këmbëngul se sapo objekti të rinovohet familja e saj do të kthehet në pronën e tyre. “Kështu që thjesht është sulm i ligë, me tendenca për të na frikësuar, por nuk kanë me ia arritë qëllimit”- deklaroi ajo. Zana Berisha rrëfeu se në vitin 1998, kur ishte tetëvjeçe, familja e saj u dëbua nga ajo shtëpi nga forcat serbe.
“Prej marrjes së konfirmimit që shtëpia jonë do të rinovohet prej Qeverisë, prej fundit të muajit shkurt, efektivisht jemi angazhuar. Shtëpinë në fillim e kemi gjetur në një gjendje tepër të keqe, kemi punuar pa ndërprerë deri ditën e djeshme. Jemi munduar që pak a shumë njëfarë normaliteti me e kthy në oborrin tonë që ne me e shfrytëzu”- rrëfeu banorja.
Për incidentin foli edhe Erduan Baliqi, shef i Planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës. Ai bëri të ditur se deri më tani nuk është identifikuar asnjë person i dyshuar. “Për momentin janë shkaktuar dëme materiale. Aktualisht nuk e dimë vlerën e dëmit.
Mirëpo të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti mbetet nën hetim, pra është kontaktuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është inicuar si zjarrvënie dhe është nën hetime”- deklaroi Baliqi.
KALLXO.com kishte raportuar më për nisjen e projektit për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës së fundit në Kosovë në Mitrovicë të Veriut. 24 vjet pas përfundimit të luftës, institucionet nisën projektin për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të djegura në Mitrovicë të Veriut. Projekti përfshinte 23 familje, ndërsa vlera e tij ishte 1 milion euro.
Shtëpitë më tulla të kuqe e me çati të dëmtuara, pa dyer e dritare, të djegura gjatë luftës së fundit në Kosovë ishin shndërruar në shtëpi të bardha. Disa prej tyre janë ndërtuar nga themeli për shkak se ka qenë e pamundur të rinovohen shkaku i dëmtimeve të mëdha. Shqiptarët të cilët u detyruan asokohe të shpëngulen në jug të qytetit iu patën gëzuar lajmit se do t’u ndërtohen shtëpitë.
Punimet nisën më .
