Qindra banorë të qytetit spanjoll të Ceutës dolën në protestë për të kërkuar masa më të ashpra për kontrollin e kufirit, pas mbërritjes së dhjetëra mijëra emigrantëve nga Maroku javën e kaluar.
Protesta, e organizuar përmes rrjeteve sociale në sheshin Plaza de los Reyes, u shoqërua me thirrje për mbrojtjen e qytetit autonom dhe kritika ndaj mënyrës se si qeveria spanjolle po menaxhon krizën migratore.
Tensionet u rritën me mbërritjen e aktivistit të ekstremit të djathtë Vito Quiles, liderit të partisë Se Acabó La Fiesta, Alvise Pérez, si dhe anëtarëve të grupeve të ekstremit të djathtë, përfshirë Núcleo Nacional. Prania e tyre u kundërshtua nga një pjesë e protestuesve, si dhe nga pjesëmarrësit në një kundërprotestë të organizuar në të njëjtin shesh.
Banorë të Ceutës, përfshirë shumë me origjinë marokene, u mblodhën për të mbrojtur bashkëjetesën dhe për të kundërshtuar retorikën ksenofobe. Për disa minuta, të dy grupet shkëmbyen thirrje dhe akuza, por nuk u raportuan incidente serioze. Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, Policia Kombëtare spanjolle vendosi forca të shumta sigurie.
Alvise Pérez dhe disa anëtarë të Núcleo Nacional u shoqëruan drejt portit, ndërsa Vito Quiles u largua nga protesta mes fishkëllimave të një pjese të turmës. Sheshi mbeti i rrethuar nga policia, e cila mbajti të ndara dy grupet e protestuesve.
Pavarësisht atmosferës së tensionuar, protesta dhe kundërprotesta u shpërndanë gradualisht pa pasur nevojë për ndërhyrje shtesë të forcave të rendit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
