Shpërndaje në: Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se në varrezën masive në Jabukë të Zubin-Potokut janë zbuluar të paktën 4 trupa, që dyshohen se janë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Sveçla ka thënë se viktimat pas ekzekutimit ishin hedhur në një gropë qereçi.
“Deri tash janë zbuluar të paktën 4 trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi…Hetimet për kriminelët që kanë shkaktuar këtë krim do të vazhdojnë.
S’do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe të pagjeturin e fundit, por po ashtu s’do të ndalemi edhe derisa secili kriminel të paguajë për krimet që ka shkaktuar”, ka thënë Sveçla në një prononcim për media nga lokacioni i ri ku janë gjetur mbetje mortore. Të dielën Prokuroria dhe Policia e Kosovës njoftoi për zbulimin e një lokacioni të ri ku mund të ketë mbetje mortore.
E javën e kaluar në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut u zbulua një varr masiv. Sveçla ka thënë se distanca mes dy lokacioneve është afro 900 metra. Ai ka thënë se Serbia vazhdon të mbetet ajo e njëjta që ishte në vitet ’90 në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë.
“Nuk po ndryshon…Tashmë gati tri dekada po punon në vazhdimësi që këto krime të fshihen. Është koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare ta rrisë presionin ndaj Serbisë, ndaj qeveritarëve të saj, në mënyrë që e vërteta për gjitha këto krime të zbardhet”, tha Sveçla.
