Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar për KosovaPress, se tashmë ftesat drejtuar partive politike për takimet e radhës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë adresuar.
Haxhiu tha se Kurti në vazhdimësi ka bërë përpjekje që të ketë takime në raport me arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit dhe se sipas saj, këto takime janë e vetmja mundësi për të mbërritur te një marrëveshje e tillë. “Së pari siç e dini, tashmë ftesat drejtuar partive politike për takime të radhës janë adresuar te të njëjtat.
Pra kryeministri Kurti në vazhdimësi ka bërë përpjekje që të ketë takime në raport me arritjen e një marrëveshje për çështjen e presidentit. Unë kam mirëpritur këto takime dhe mendoj që e vetmja mundësi për të mbërritur deri te një marrëveshje janë takimet të cilat ndodhin ndërmjet partive politike.
Tani ju e dini që seanca konstituive siç e përmendët është caktuar me datë 6 gusht, edhe presim që para 6 gushtit të ketë takime ndërmjet partive politike dhe në anën tjetër të ketë përpjekje maksimale për ta pasur një marrëveshje që ndërlidhet me çështjen e presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje siç e keni parë i ka adresuar përgjegjësitë që ka përmes kryetarit dhe kryeministrit Kurti, por presim që edhe partitë e tjera politike të reflektojnë në raport me përgjegjësitë që i kanë”, tha Haxhiu .
E pyetur nëse pret që në rast se një marrëveshje me LDK-në, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ta ketë grupin parlamentar të bashkuar për çështjen e presidentit, Haxhiu tha se është e rëndësishme që të ketë unifikim brenda kuvendit për përgjegjësitë që kanë para qytetarëve.
Ajo tha se e kuptojnë mandatin e lirë të deputetit, por sipas saj, mandati i lirë i deputetit nënkupton që duhet të kontribuojnë në shërbim të konstituimit të kuvendit. “Unë nuk ndërhyj në çështjet e zhvillimeve të brendshme të partive politike, nuk më takon mua që t’i komentoj ato.
Çfarë unë kam mirëpritur është që tashmë pas rikonfirmimit të tij si kryetar i LDK-së është hapur rruga për të vazhduar takimet ndërmjet partive politike.
Është e rëndësishme që të ketë unifikim brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës për përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe besoj që do të kenë të njëjtën linjë të gjithë deputetët e Kuvendit, për sa kohë marrin vesh kryetarët e partive. Pra, kjo është e rëndësishme që të adresohet.
Ne e kuptojmë mandatin e lirë të deputetit, por mandati i lirë i deputetit nënkupton që duhet të kontribuosh në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe në shërbim të konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe jo që ato të mbesin të bllokuara dhe të mbahen peng.
Prandaj është e rëndësishme që të ketë edhe veprime konstruktive, edhe përgjegjësi, edhe seriozitet në këtë aspekt”, tha Haxhiu për KosovaPress. Kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 11-të, është thirrur më 6 gusht me fillim nga ora . /Kp
